Kryebashkiakët e djathtë të bashkive në vend nuk do të marrin pjesë sot në takimin e thirrur me kryeministrin Rama, mbi çështjet e turizmit në vend.
Burime nga shoqata e tyre, bënë me dije për “Mapo.al” se, kryetarët e bashkive të djathta do ta refuzojnë pjesëmarrjen në këtë takim, me pretendimin se ai është një farsë, dhe synon propagandimin dhe reklamimin e punëve të qeverisë.
“Këto takime janë non-sens, Rama i bën për të larguar vëmendjen nga ngjarjet e ditës”,- thonë burimet që konfirmojnë bojkotimin e këtij takimi të njoftuar me mesazh nga kryeministria.
Sipas tyre, “bilancet e turizmit për këtë vit kanë qenë skandaloze në të gjitha bashkitë, madje edhe në ato bregdetare që qeverisen nga kryebashkiakë të majtë dhe jo ashtu siç janë trumbetuar nga qeveria dhe Kryeministri Rama ditët e fundit”.
“Nuk kemi pse të lëmë punën tonë të përditshme për këto takime…”, e mbyllin komunikimin e tyre burimet nga “Shoqata e Kryetrarëve të Bashkive”, për “Mapo.al”