Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sot këtë qytet.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi shkruan, se vrasja e 31-vjeçarit ditën e sotme, si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër, kanë krijuar pasiguri dhe frikë për jetën tek qytetarët.
Ajo i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama që të marrë përgjegjësi, për të gjitha ngjarjet që po ndodhin.
Postimi i Ademit:
Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!
Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
Ankthi për jetën dhe të nesermen po zbret frikshëm në këtë rajon.
Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!
U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!
Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim.