Redaksionale/
“Nuk e dija që jetonin shqiptarët në këtë gjendje”. Kjo ishte fjala e parë që Rama regjistroi për t’u shpërndarë shqiptarëve kur vizitoi një familje të varfër në një fshat të Shijakut. Video ishte e filmuar me kujdes dhe e montuar në mënyrë të atillë për të treguar dhembshurinë e kryeministrit Rama.
Sot ai e përsëriti të njëjtën skemë propagande edhe në konferencën e fjalimeve me mësues të shkollave në Pallatin e Kongreseve. Sot ai është shprehur para mësuesve, se një mësuese që ka parë sot, sipas tij nuk ka lënë asgjë që Rama të mos fitonte zgjedhjet ku kandidonte si kryetar bashkie për Tiranën. Por ai ka vijuar më tej duke thënë se ajo ende është në punë dhe qeveria e tij nuk e ka hequr.
Mjafton vetëm një rast për të rrëzuar propagandën e Ramës, 150 mësues u larguan nga puna prej DAR-it Fier kur Rama sapo mori pushtetin. Ngjarje kjo e bërë publike në të gjitha mediat.
Kohët e fundit kemi parë një tjetër qasje të kryeministrit Rama me publikun. Madje ai u ka kërkuar edhe deputetëve dhe ministrave të tij që ta ndjekin në stilin e ri të propozuar nga Endri Fuga.
Kemi parë se si Rama është shfaqur në kanalin e tij në “Facebook” ERTV, por edhe në televizionet kombëtare në misione bamirësie. Ka vizituar disa familje në varfëri ekstreme duke u premtuar rindërtimin e shtëpive.
Paralelisht me këtë, ai është shfaqur herë me ministren Nikolla e herë vetëm, duke shpërndarë libra për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Nuk mbeten më pas, në misionin e shpërndarjes së librave, ministret Nikolla e Manastirliu si dhe ministrat Klosi e Bushati, të cilët gjithashtu janë shfaqur duke shpërndarë tekste tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Klosi ka përuruar edhe shkollën e re në Syzez në Berat dhe ka premtuar të tjera investime, kurse Bushati është mjaftuar me shërndarje librash.
Vitin tjetër janë zgjedhjet lokale dhe pamje dhembshurie dhe puthje dore do shohim për ditë. Kjo është qasja më e re e urdhëruar nga Endri Fuga.