-- Kinema -Teatri "Nacional" në vitet 1926-1939, në Kinema "Rex" në vitet 1939-1943, përsëri Kinema "Nacional" më 1943-1946 dhe Kinema "17 Nëntori" në vitet 1947-1991. Kinema "17 Nëntori" pasi iu kthye pronarit u bë "Bingo"
-- Kinema "Diana", më pas, "Gloria", mandej "Republika" e së fundmi u quajt kinema "Millenium 1". Millenium u shkatërrua për t’ia lënë vendin një ngrehinë shumëkatëshe ende të papërfunduar në vitin 2011.
-- Kinema "Tomori" e ndërtuar ne vitin 1940 nga ushtria italiane, shërbeu si sallë kinemaje për italianët, kryesisht për ushtrinë por edhe për qytetarët e Tiranës. Pas shtetëzimit në vitin 1946 merr emrin Kinema "Brigada" dhe shërbeu si kinema e qytetit gjatë viteve 1947-1970. Në këtë sallë u zhvilluan edhe disa "gjyqe të popullit", procese gjyqësore nga regjimi komunist pas vitit 1947 veçanërisht gjyqi i gjeneral Teme Sejko. Sot është godina e Partisë Socialiste.
-- Kinema "Ali Demi" më e vogël për nga përmasat, përfundoi në magazinë,me pas iu kthye pronarëve të dikurshëm dhe u shemb bashkë me gjithë historinë e saj gati njëshekullore.
-- Kinema Agimi deri në vitin 1961 quhej "kinemaja e sovjetikëve" sepse pothuaj gjithë lagjja përreth ishte e mbushur nga familjet sovjetike që punonin në Shqipëri.
-- Nga vitet '66-'67, kinema "Dajti" u quajt kinemaja e kinezëve. Pati edhe mensë të kinezëve, sallë lodrash e lagje të kinezëve. Sot Bashkia e Tiranës e ka shndërruar në qendrën "Ten".
-- Kinema "Partizani" ishte e fundit që u ndërtua në kryeqytet. Ajo u ngrit në vitin 1957 dhe u dogj në vitin 1988. Kinema "Partizani", u kthye njëherë restorant prej një firme maqedonase, e më pas në "Bingo"
-- Edhe Lapraka ka patur kinemanë e saj, kinema "Lapraka". Sot ajo i është nënshtruar vorbullës së harresës duke qëndruar e mbyllur me një çelës që fle sirtarëve të Bashkisë së Tiranës.