Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kreun e opozitës, Sali Berisha.
“Gjykata Anti Kushtetuese, me vendimin e fundit tërësisht antiligjor dhe të shkruar nga paradhoma e Edi Ramës, vërtetoi as më pak e as më shumë se ky institucion tashmë është kthyer në vegël qorre e regjimit!
Vetëm për t’i bërë qokën SPAK, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Nenin 73 të Kushtetutës, mori kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë e rrjedhimisht rrëzoi Kushtetutën e Shqipërisë, duke vendosur një precedent të frikshëm për cilindo opozitar të nesërm!
Afërmendsh që në vijim të luftës politike kundër PD dhe opozitës, nuk mund të mungonte dhe vendosja në rresht e kësaj gjykate e cila tashmë ka humbur çdo legjitimitet duke dalë hapur në fushë si një lojtar politik, që ruan interesin e pushtetit.
Edi Rama mund të ndjehet krenar se tashmë është i vetmi kryeministër i cili ka izoluar, burgosur dhe goditur 3 drejtuesit kryesorë të opozitës në vend dhe deputetë e funksionarë të tjerë anti qeveritarë.
Këtë bilanc të tijin me siguri e ka zili dhe vetë Lukashenko i Bjellorusisë, aleati më i ngushtë i Putinit, me të cilin darkonte vetëm 1 javë më parë!” shkruan Këlliçi.