Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj janë takuar në Neë York ku po qëndrojnë në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në takim sipas Haradinajt, u konfirmua vendosmëria e dy vendeve për ta çuar përpara agjendën euro-atlantike. Me siguri një nga çështjet që është diskutuar mes dy politikanëve shqiptarë ka qenë dhe teza e hedhur së fundi për korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, që është kundërshtuar në parim si nga Meta ashtu dhe nga Haradinaj.
Reagimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Kosova dhe Shqipëria janë në të njëjtin kurs të përcaktimit euro-atlantik dhe miqësisë së përhershme me Amerikën. Në këtë frymë u zhvillua edhe agjenda e ngjeshur gjatë vizitës zyrtare në ShBA.
Në një takim rasti me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, rikonfirmuam se vendosmëria jonë për ta çuar përpara agjendën euro-atlantike mbetet e palëkundur.