Deputeti PD, Luçiano Boçi në një intervistë dhënë sot shprehet se "metamorfoza e pushtetit politik e ka shndërruar Ramën". Boçi gjykon se është absurd fakti që një kryeministër i cili kontrollon pjesën dërmuese të mediave të cilat i shërbejnë intensivisht atij e qeverisjes, të shqetësohet kaq shumë për “shpifjen” e shpërndarë mediatikisht, duke shtuar më tej se Rama operon me ERT krejtësisht aligjor. KJo është intervista e dhënë në Koha Jonë:
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama ka propozuar paketën “antishpifje”. Sipas jush a do ketë rezultat ky vendim?
Tingëllon disi absurd fakti që një Kryeministër, i cili kontrollon pjesën dërmuese të mediave të cilat i shërbejnë intensivisht atij e qeverisjes, të shqetësohet kaq shumë për “shpifjen” e shpërndarë mediatikisht apo deklarativisht, gjithmonë sipas tij. Aq më tepër kur mendon që ai personalisht operon me një TV (ertv) krejtësisht aligjor dhe që njëkohësisht ka ndërtuar trupën më të madhe mediatike pranë vetes që e paguan sa “frëngu pulën” dhe që e lëshon si “qen sulmi”, për të nxirë, shpifur, denigruar, apo për të zbardhur, devijuar, mbuluar sipas rastit të duhur, absurdi merr përmasat e marrëzisë. Mjafton ky parashtrim për të konkluduar që Ramën nuk e shqetëson shpifja, pasi njihet në kohën që ishte në opozitë por sidomos tani në qeverisje si “nona i shpifjes” dhe i baltosjes së kundërshtarit politik dhe njeriu që artin e të folurit e përdor për ta bërë të zezën të bardhë. Ramën sot në fakt e shqetëson jo shpifja artist i së cilës është, por e vërteta. E vërteta dhe faktet tronditëse të implikimit të qeverisjes së tij në krim shtetëror, të kapjes së tij dhe njerëzve të tij gafil në korrupsion, në drogë, në afera e skandale që kanë kohë që janë aq të shumta sa njerëzit nuk po përshëndesin më “mirëmëngjesi” njëri-tjetrin por pyesin me kërshëri: “a ka ndonjë skandal të ri sot?” Metamorfoza e pushtetit politik e ka shndërruar Ramën në një kohë shumë të shpejtë nga një publicist kontrovers për periudhën kur shkruante, në një luftëtar të paepur “Kontras”, kundër fjalës së lirë dhe mendimit të lirë.
Nga fyerjet me sëpatë në dorë kur ishte Kryetar Bashkie, nga sulmet nominative ndaj pronarëve që nuk i bindeshin kur ishte kryetar opozite, nga dhuna verbale ndaj gazetarëve të thjeshtë kur u bë Kryeministër, Rama nuk përtoi të ndërmerrte demarshe konkrete e vendime të cilat kërkojnë të gjunjëzojnë e censurojnë përfundimisht fjalën e lirë e të vërtetën. Qartazi iniciativa është një rikthim në një formë të re i një qëllimi dhe dëshire të kahershme të Ramës. Më parë ka pasur një tentativë konkrete të tij për kriminalizimin e shpifjes e shoqëruar kjo dhe me një sërë ndryshimesh në ligjin “Për tregtinë elektronike”. Ndryshimet synonin dënimin e komentuesve, gazetarëve dhe të vetë mediave online, deri në mbylljen e tyre. Kundërshtimi nga faktori ndërkombëtar dhe njëkohësisht reagimi i gazetarëve dhe “ndërtuesve” të portaleve bëri që Rama të tërhiqet.
Por nuk është vetëm kjo arsyeja, sepse një përgjigje ndaj kësaj iniciative “idiote” Rama e ka në sirtarin e dështimeve të shumta të tij. Ai kërkon të impostojë vëmendjen e publikut nga fenomeni i kriminalizimit kapilar dhe dështimi spektakolar i qeverisjes së tij, tek relativizimi i fakteve dhe akuzave që dëshmojnë këtë realitet, duke synuar t’i paraqesë ato si trille. Kësisoj Ministrin kërkon ta nxjerrë duar jashtë nga ligji antimafia, ish-ministrin do ta paraqesë si heroin e kohës sonë të hashashit, por që ja futën të tijët, Ballën si politikan të mrekullueshëm që krimin e lufton paepur me efikasitet, duke e futur në gjirin e Partisë. Rama kërkon ta mbajë debatin në një përplasje permanente e vërtetë-shpifje dhe njëkohësisht të ndërtojë mekanizmin “ligjor” për të goditur mbartësit dhe transmetuesit e së vërtetës. Si të thuash Rama po kërkon të formatojë shpifjen e tij të madhe mbi gjendjen e vendit dhe qeverisjes së tij, me ligje që dalin nga tavolinat e interesit të tij, duke i sulmuar të vërtetat e mëdha të dramës së qeverisë së tij, si shpifje të vogla që dalin nga tavolinat e politikës.Rezultati duket i parashkruar nga reagimet e opinionit jo vetëm gazetaresk por dhe më tej. Besoj se kjo paketë do të ketë fatin e iniciativës së 2015. E shumta do zgjasë agoninë e Ramës por nuk do ta shpëtojë atë nga sekëlldia e dorëzimit të pushtetit.
Opozita ka nisur aksionin politik, por kryeministri Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet. A janë gati shqiptarët që ta rrëzojnë Edi Ramën?
Aksioni ynë politik ka njohur dinamikat e tij dhe është duke kapur kulme të reja për shkak dhe të situatës politike, ekonomike, sociale e kriminale në vend. Çdo dinamikë e këtij aksioni shkon në sinkron me zemërimin e problematikat e shtuara të shqiptarëve. Momenti i shndërrimit të zemërimit në revoltë ka ardhur dhe gatishmëria e shqiptarëve për ta rrëzuar Edi Ramën është demonstruar në forma e mënyra të ndryshme. Me protesta, me kundërshti, me reagime, me opinione, por që priten të finalizohen. Opozita këtu ka dhe po luan e do të luajë rolin e saj kyç. Rama ka kohë që e ka grisur kontratën e lidhur e të rrëmbyer me sovranin. Një ripozicionim i raportit të forcave politike duket të jetë një domosdoshmëri për të dalë nga tuneli ku e ka zhytur ai këtë vend. Në rast se Rama vazhdon të këmbëngulë pa pranuar ofertën politike përballja do jetë e afërt. Dilemat tashmë kanë rënë. Kufirin tek thana Rama e ka të shënjuar. Rrëzimi ka nisur. Shporrja do të bëhet.
Çfarë qëllimi ka Opozita, zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen njëherësh me ato lokalet e vitit të ardhshëm?
Pak rëndësi ka koha e përkimit apo jo me zgjedhjet lokale. I rëndësishëm është largimi sa më shpejtë i Ramës e shpurës së tij të zhytur deri në grykë me zullume e skandale.
Çfarë do të ndodhë me nismën e opozitës antimafia, nëse mazhoranca e hedh poshtë me votë në Kuvend?
Propozimet tona janë konkrete dhe çojnë në pastrimin e politikës, vendosjen e balancës së përfaqësimit qytetar e të vlerave brenda saj dhe krijojnë terrenin e duhur për të ecur në çlirimin e ekonomisë nga krimi, moskapjen politiko-kriminale të drejtësisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta dhe të lira. Vettingu në politikë është vijë e kuqe e cila ndan përfundimisht rënien apo jo në prehrin e krimit të politikës. Një gjë e tillë nuk mund të lejohet dhe vetëm vettingu na shpëton. Pas kësaj ne na lind e drejtat morale që ta rivendosim këtë standard me të gjitha mjetet e mundshme