Kreu i PD-së, Lulzim Basha, dha një deklaratë pas takimit që pati me banorët e Unazës së Re që do t'u shemben shtëpitë nga qeveria. "E kemi paralajmëruar sa e rrezikshme është kjo aferë. Ajo që nisi me Teatrin Kombëtar, do të përfundojë në pragjet e shtëpisë. Ja ku është ajo që kemi paralajmëruar", tha Basha.
Pasi ia dha fjalën një fëmije në ankth për familjen e tij dhe të ardhmen, kreu i opozitës tha:
"Të jeni të sigurtë se ajo që kam dëgjuar brenda (në takim) është edhe më tronditëse se ajo që panë shqiptarët. Ka një detaj pak ndryshe nga ç'tha Klevisi: nuk ka ligj për shembjen e këtyre shtëpive, por u kanë çuar një njoftim dhe u kanë vënë kryqin me bojë tek dera.
Nuk ka asnjë njoftim që këtyre familjeve t’u jepet kohë , të gjithë janë në gjendje terrori psikologjik: "Ikni se do t’u shembim shtëpitë!"
Kjo është gjendja ku ka rënë shteti shqiptar, ku asgjë nuk respektohet. Pse? Se Rama dhe Veliaj kanë një projekt që të pastrojnë paratë e drogës dhe të ndërtojnë shumëkatëshe në këtë zonë.
Duan t’i largojnë këta njerëz pa u dhënë asgjë dëmshpërblim për të pasuruar një grusht loligarkësh. E kam paralajmëruar sa e rrezikshme është kjo aferë. Ajo që nisi me Teatrin Kombëtar, do të përfundojë në pragjet e shtëpisë. Ja ku është ajo që kemi paralajmëruar.
Mbështesni me protestën tuaj të drejtën e këtyre familjarëve. Mbroni veten tuaj kundër kësaj të keqeje që po ndodh këtu!".