Pas sqarimit që bëri Bashkia e Tiranës se në gjurmën e lumit Lana, në pjesën perëndimore të qytetit, nga ura e shkollës Teknologjike deri ku kryqëzohet me Unazën e Re, nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi dhe se Plani i Përgjithshëm Vendor i qytetit të Tiranës nuk ka ndryshuar, ka reaguar sërish Partia Demokratike.
Sipas PD, shqiptarët kanë parë me sytë e tyre dokumentat zyrtare të paraqitur nga Partia Demokratike, që provojnë se Plani Urbanistik i Tiranës dhe projekti për Lumin e Lanës u ndryshuan me firmat e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të favorizuar tokën ku Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë projektin 60 milionë euro.
“Pas Arben Ahmetajt, sot i erdhi rradha Erion Veliajt për të bërë rolin e budallait për projektin luksoz rezidencial 60 milionë euro të trafikantit të drogës pranë Unazës së Madhe.
Shqiptarët e kanë parë vetë dhe nuk kanë nevojë për mashtrimet banale të Erion Veliajt se Projekti i Lanës i vitit 2013 zinte një pjesë të konsiderueshme të ish Serave.
Shqiptarët kanë parë gjithashtu se projekti i vitit 2017 shmnag plotësisht ish serat, vetëm pasi kjo pronë u privatizua në mars 2016 me paratë e trafikantit të drogës. Të gjithë i kanë parë 4 faturat prej 1.5 milionë euro të paguara për privatizimin nga Edmond Bego për llogari të Ministrisë së Financave,” deklaron PD.
Gjithashtu në këtë reagim, thuhet se janë paraqitur dokumenta zyrtare që provojnë se aplikimi për leje ndërtimi nga Edmond Bego, në zonën e ish Serave, pranë Unazës së Madhe, e ka kaluar fazën e parë të miratimit dhe tani leja është vetëm formalitet.
“Erion Veliaj mashtron paturpësisht, kur thotë se nuk ka asnjë aplikim për leje ndërtimi në atë zonë.
Afera e projektit luksoz rezidencial 60 milionë euro provon se Erion Veliaj nuk ka asnjë ndryshim nga Edi Rama. Ai është njësoj në shërbim të trafikantëve të drogës, për të shëmbur shtëpitë e qytetarëve. për të ndërtuar pallatet e krimit dhe për të pastruar paratë e pista të krimit dhe korrupsionit,” thuhet në deklaratë.