Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot qendrën sociale të Mitropolisë së Korçës “Shërbesa e Dashurisë”, ku u takua përzemërsisht me fëmijë dhe pjesëtarë të familjeve në nevojë, me të cilët ndau urimet e sinqerta për Vitin e Ri 2019.
Presidenti i Republikës mori pjesë gjithashtu në drekën e shtruar për shtresat në nevojë, një traditë 20-vjeçare e përditshme e kësaj Mitropolie.
Presidenti Meta theksoi se “Kemi nevojë të jemi më shpesh pranë këtyre njerëzve, sepse siç dëgjova edhe Imzot Joanin, nga i cili gjithmonë mëson: 'Ai që nuk e shikon Krishtin te sytë e lypësit pranë Kishës, e ka të vështirë ta gjejë atë diku tjetër'. Besoj se është detyrim i yni, i gjithë institucioneve qendrore e vendore që të bëjmë më shumë për të garantuar jetesën dhe dinjitetin e këtyre njerëzve, të cilët nëpërkëmben nga varfëria, por shpesh edhe nga braktisja e institucioneve, nga burokracia dhe mosvëmendja.
Padyshim vëmendja jonë për bashkësitë fetare është e jashtëzakonshme, sepse po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe e bëjnë atë pa publicitet. Por nuk mjafton kjo, ne duhet të marrim përgjegjësitë tona si shtet. Duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim e të tregojmë përgjegjësitë tona sociale e të tregojmë më shumë njerëzillëk.”, - u shpreh Presidenti Meta.