Rama qeveris nëpërmjet fiksimit e imazhit. Nuk ka njeri që nuk e kupton këtë. Ndërsa fiksimet i ka të çastit, si pasojë e gjendjes emocionale që ngacmohet nga ndonjë element që për njerëzit normalë nuk ekziston, imazhi pasqyrohet te propaganda e përditshme me të cilën mbush popullin. Ministreshat e reja të tij, janë pjesë e fiksimit, tamam njësoj me fiksimin kur në mitingjet e opozitës nxirrte policie femra në rreshtin e parë. Se nuk do gjesh kryeministër në Europë e në botë që të merret me kurimin e rreshtit të parë të një proteste. Këtë e gjen në vendin më të varfër të Europës, i cili ka kryeministrin një agjitprop shëtitës që kur vjen në zyrë vetëm ha bukë e luan basketboll. Rama do të hyjë në histori me rekorde që nuk i ka thyer njeri. P.sh. do të fusë sa më shumë femra, pavarësisht se kjo nuk i shërben qeverisjes, por imazhit. Atë e kënaq vetëm kjo, sepse realisht nuk qeveris dot. Futja e Spiropalit në qeveri, vetëm për deklaratat e Skënderbeut, apo për rolin e një agjitpropi katundi që ka luajtur, nuk mund të fshehë gropën që krijoi në punën e parë në shtet si drejtore e përgjithshme e doganave. Ministrja tjetër e Arsimit, Besa Shahini, është shumë larg njohjes së realitetit shqiptar dhe ka krijuar probleme ende pa nisur detyrën e re. Plus kësaj ka kundër një ministri që nuk do t’i bindet. Anila Denaj, është plotësim i zonës së parë operative, trashëgimi nga familjet e palëvizshme komuniste deri në palcë që nuk ka forcë në glob që ua heq enverizmin. Belinda Balluku po dihet që është si efekt i Beqirit dhe trashëgimisë komuniste. Ministresha më pak e njohur, Elva edhe kjo nga zona e parë operative, është një fiksim i Ramës në prezantimin e programit agjitativ të “100 fshatrave”.