Nga Andi Bushati
2018 që po mbyllet me shijen e protestës madhështore të studentëve, krahas atyre më të vogla të artistëve, banorëve të Unazës, apo emigrantëve, do të mbahet mend si viti i dytë që prej ’97, kur një qeveri ka prodhurar më shumë kundërshtarë të moshave, profesioneve dhe shtresave të ndryshme sociale.
Natyrisht që kjo e ka një shpjegim. Dhe ai lidhet, njësoj si para dy dekadave, me faktin se këtë vend po e sundon kryekëput një njeri i vetëm.
Ky është moti i parë kur, pasi bërë fushatën elektorale kundër tepsisë që kërkonin aleatët, Rama drejtoi vetëm me sejmenët e tij. Po të bësh një bilanc kuptohet lehtë se çfarë ndodhi.
Gjatë 2018 u vu në zbatim projekti 1 miliardë euro që ndau në 4-5 duar, pa tendera dhe garë, një pjesë të madhe të pasurisë kombëtare që do ti fusë në borxhe të pafundme brezat e ardhshëm.
Po gjatë këtij viti u tentua të prishej Teatri për ti hapur rrugën një biznesi 200 milionë eurosh me kompaninë Fusha.
Po gjatë këtij viti u hartuan projektet monstruoze të tre inceneratorëve të cilët lëshonin miliona nga buxheti i shtetit në llogarinë e Klodian Zotos, ende pa u vënë një tullë në punën që kishte marrë përsipër.
Po gjatë këtij viti shqipëtarët u ftuan të paguajnë për herë të dytë për rrugën e kombit, vetëm se prej saj duhet të përfitonte njëri prej klientëve të kryeministrit të të pasurve. Po gjatë këtij viti u miratua ligji me efekt prapa veprues për ti përgjysmuar tatimin mbi dividentin oligarkëve ndërkohë që predikohej se nuk kishtë para për buxhetin e arsimit.
Po gjatë këtij viti u arrit rekordi i unazës së re, me 40 milionë euro për 2 KM rrugë, të cilat u ndanë me tender fiktiv dhe në firma fantazëm.
Janë të gjitha këto fakte që, pa pasur nevojë për koment, tregojnë se përse i duhej Ramës tepsia vetëm për vete.
Njerëzit nuk janë budallej dhe e kuptojnë se ç’do të thotë kur pushteti mbetet në një dorë. Ata nuk e kanë të vështirë të bëjnë krahasimin.
Ata e dinë se Lulzim Basha nuk është as engjëll dhe as shenjt. Por ata e kuptojnë se kur Luli drejtonte bashkinë dhe Rama qeverinë, në Tiranë me zor u dhanë vetëm gjashtë leje ndërtimi. Ndërsa kur tepsia i morri të dyja, ato u njëqind fishuan, megjithëse votat qytetarëve i ishin marrë me premtimin: “zero ndërtime në kryeqytet”. Ata e dinë se ish partia klienteliste e Ilir Metës mund të mos ketë as synime idealiste as parime morale, por e kuptojnë se kur LSI-a ishte në qeveri u ndalua importimi i plehrave nga jashtë dhe u kërkua me insistim një ligj që ia hiqte të drejtën ekskluzive të koncesioneve Ramës.
Ata e dinë se nëse kryeprokuroren nuk do ta kishte zgjedhur Rilindja vetëm me 69 votat e saj, djali i deputetit Rahja nuk do të qe i lirë edhe pas përdhunimit, Agron Xhafaj nuk do të ish lënë të largohej pa u marrë as në pyetje, fashikujt e përgjimeve të Vangjush Dakos nuk do të ishin fshehur dhe njerzit që hetuan Tahirin nuk do të largoheshin një nga një nga detyra.
Pra nëse sot janë në rrugë më të shumtë se kurrë, shqiptarët e kanë një motiv. Ata e ndjejnë se vendi po reshqet drejt një autoritarizmi kleptokratik që dukej se e kishim mundur njëherë e për gjithmonë.
Me makutërinë, delirin dhe arrogancën e tij, kryeministri i të pasurve e ringjalli këtë frikë. Prandaj ai po merr si dhuratë në këtë fund viti një valë protestash të pa dëgjuara më parë dhe ç’është më e habitshmja të pa lidhura me partitë opozitare.
Dhe filizat e kësaj feste demokracie me shumë gjasë do të vazhdojnë. Sepse i mbyllur në bunkerin e Surrelit, i izoluar mes 9 apo 10 klientësh milionerë, i rethuar vetëm nga eunukë që nuk guxojnë as ta kundërshtojnë, Rama i thelloi mëkatet me ndryshimet në qeveri. Ai kompozoi një kabinet me më shumë anonimë, me më shumë njerëz pa personalitet publik dhe karaktere të sprovuara, që rrisin edhe më skajshmërisht pushtetin dhe autoritarizmin e tij.
Ai nuk e kuptoi dot se ajo që ndodhi gjatë 2018 ishte një përgjigje ndaj grykësisë gargantyeske për ta përlarë i vetëm tepsinë. Dhe kjo të bën të mendosh se dhuratat për të nuk përfundojnë në 31 dhjetor.