Në lidhje me zhvillimet në politike në Kosovë dhe sidomos në Shqipëri, ku Presidenti Meta u bë barrikadë kushtetuese dhe patriotike e mosdekretimit të një emri për ministër të jashtëm, që ka manifestuar hapur ndjenja dhe deklarata pro copëtimit të Kosovës, ka reaguar sot me anë të një deklarate publike edhe Zef Morina, ish-deputet në Parlamentin e Kosovës, ish-ministër dhe sot kryetar i Unionit Demokristian Mbarëkombëtar. Ky Union ka në gjirin e tij si anëtarsi gjithë partitë dhe fraksionet demokristiane në botë.
Deklarata e plotë:
Unioni Demokristian Shqiptarë, me vëmendje është duke përcjellë situatën politike nëpër të cilën po kalon kombi shqiptar. Demokristianët nga të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë janë të brengosur me mbarvajtjen e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime janë futur në një udhëkryq që mund të jenë të dëmshme për Kosovën dhe kombin shqiptar. Mos transparenca e përfaqësuesve në dialog ka krijuar dyshime të mëdha, se cili do të jetë rezulltati final, pasi pritmëritë janë se do të copëtohet Kosova. Dhe kjo është tragjike.
Presidenti Thaçi, disa herë e ka potencuar se përfundimi mund të jetë i dhimbshëm dhe se për të pasur sukses Kosova në rrugen e saj europiane, duhet të bëhen lëshime nga të dya palët dialoguese, duke ofruar si mundësi korigjim i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që për ne Demokristianët është e papranueshme. Mos gatishmeri kanë shfaqur pothuaj të gjitha partitë politike në Kosovë opozitë – pozitë, shoqëria civile dhe rreth 80% të qytetarëve të Kosovës. Kategorikisht kundër janë edhe kreu i Qeverisë dhe kreu i Parlamentit të Republikës së Kosoves, zoti Haradinaj dhe zoti Veseli.
Gjithashtu kundër janë edhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, nga Presidenti Meta, ministri i jashtem Bushati, ish presidenti Berisha, kryetari i opozites Basha dhe shumica e partive politike opozitare në Shqipëri.
Demokristianët shqiptarë janë të befasuar me qëndrimin e kryeministrit Rama, i cili me shumë anon nga një zgjidhje, e cila do të ketë korigjim të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë edhe pse nuk është deklaruar haptas. Më shumë jemi të befasuar me rastin e emërimit për minister të jashtëm të Republikës së Shqipërisë zotit Genti Cakaj, një djalosh nga Gjakova i cili nga mosnjohuria dhe mungesa e eksperiencës politike dhe në diplomaci, në një emision, bile disa herë është shprehur haptas për mundësinë e ndryshimit të kufijve, jo vetëm në mes të Kosovës dhe Serbisë, por një rikonfigurim i ri në Ballkan.
Kjo deklaratë e tij jo vetëm që nuk mund të pranohet nga shqiptarët, por është e papranueshme edhe nga shtetet kryesore europiane siç janë Gjermania, Anglia, Franca e shumë vende tjera mike te shqiptarëve. Kjo deklaratë është në sinkron të plotë me kërkesën e Rusisë dhe Serbisë.
Serbia pikërisht për këtë qëllim ka bërë disa luftra në Ballkan, përfshi edhe luftën e fundit. Andaj, ne Demokristianët shqiptar, e mirëpresim qëndrimin e Presidentit Meta për mos dekretimin e zotit Cakaj në postin e ministrit të jashtëm të Republikes së Shqipërisë, njëherit e mbështesim plotësisht qëndrimin e mos ndryshimit të kufijve në mes shtetit të Kosoves dhe Serbisë. Kososva është Shtet i Pavarur, Sovran, Demokratik dhe territori i saj është i pacënueshëm.
Kombi shqiptar duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, të cilat po na dëmtojnë si Komb. Ne duhet të punojmë që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar në familjen europiane.
Zef Morina
Kryetar, Unionit Demokristian MbarëKombëtar Shqiptar