Takimi që ajo zhvilloi një javë më parë me Presidentin e Republikës Ilir Meta ka lënë mbresa të pashlyeshme në memorien e politikanes së njohur dhe ish-Zv/Kryeministres së Kosovës, Edita Tahiri.
Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, përmes rrjeteve sociale i është rikthyer sërish takimit në Tiranë javën e kaluar duke vlerësuar takimin me kreun e Shtetit si takim thellësisht kombëtar dhe vizionar.
Në qëndrimin e saj, Edita Tahiri shprehet se qëndrimet e Presidentit Ilir Meta në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe kufijve ishin qëndrime të drejta të një presidenti shqiptar që njeh mirë luftën dhe sakrificat me sublime të shqiptarëve dhe Kosovës për liri dhe pavarësi.
Qëndrimi i plotë e Edita Tahirit
Takimi me Presidentin Ilir Meta ishte thellësisht kombëtar dhe vizionar. Qëndrimet e tij në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe kufijve ishin qëndrime të drejta të një presidenti shqiptar që njeh mirë luftën dhe sakrificat me sublime të shqiptarëve dhe Kosovës për liri dhe pavarësi. U pajtuam që ndryshimi i kufijve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë është një skenar i rrezikshëm që dëmton shtetin e Kosovës dhe interesat kombëtare, si dhe destabilizon rajonin me pasoja të paparashikueshme. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kufij të pacenueshëm në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, të cilën e ka vërtetuar Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në 2010-n. Kosovën e bëmë shtet falë luftës tonë të drejtë dhe mbështetjes nga aleatët tanë perëndimor në krye me SHBA-të, partnerët evropian Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, etj, NATO-n. Nderi jonë kombëtar të cilën e rikthyem me luftën e fituar për liri dhe gjeopolitika perëndimore të cilës i takon kombi shqiptar, qofshin të përjetshme.