Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama mbi çështjen e Kosovës.
Në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, Mediu tha se hipokrizia e kryeministrit është e pakufi dhe se po përdor një propagandë bajate.
Ai përgënjeshtroi deklaratën e Ramës i cili i akuzonte atë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se kanë sharë Shqipërinë.
Mediu iu tregoi të gjithë deputetëve se ai dhe Sali Berisha kanë bërë çmos që Kosova të merrte pavarësinë dhe jo si tani që Rama do ta copëtojë.
‘Jam krenar që kam qenë dhe jam në krah të Berishës, kryeministrit që e bëri Shqipërinë vend anëtar të Natos, i cili liberalizoi vizat. E kam për nder të kem qenë në krah të tij në takimin me presidentin e Amerikës Xhorxh Bush ku në Tiranë deklaroi pavarësinë e Kosovës’- tha në Kuvend Mediu.
Gjithashtu ai dënoi ashpër pazaret që po bëhen me Kosovën si dhe paralajmëroi se data 16 Shkurt nuk është thjesht protesta e opozitës por është forca e shqiptarëve për të treguar që as Rama dhe as një tjetër nuk mund tu qëndrojë atyre si kular mbi qafë.