Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar pas publikimit nga media të një vendimi të Gjykatës së Lezhës ku thuhet se ai i ka shitur dy apartamente Shqipe Palajt, e cila akuzohet për pastrim parash.
Sipas lajmit të publikuar në media thuhet se me paratë e një suedezi që ka kaluar në emër të qytetares nga Lezha rreth 5 milion euro, dy prej apartamenteve i janë blerë deputetit Edi Paloka, një me vlerë 87.5 milion lekë dhe një tjetër me vlerë 70 mijë euro.
Por Paloka e ka hedhur poshtë këtë lajm duke shpjeguar se as nuk ka patur dhe as nuk ka shitur ndonjëherë dy shtëpi në Lezhë.
Paloka: Së pari as nuk kam patur dhe as nuk kam shitur ndonjëherë dy shtëpi në Lezhë. Kam patur një shtëpi në Shëngjin.Ndryshe nga çfarë thonë qelbësit, shtëpia është deklaruar në deklaratën e pasurisë së datës 12/03/2012.Kjo shtëpi është shitur vjet me gjithë orenditë. Të gjitha veprimet sipas ligjit janë kryer tek noteri dhe nëpërmjet bankës.
Paloka sqaron se shtëpia në Shëngjin është e pasqyruar në deklarimin e pasurisë në vitin 2012 dhe të ardhurat e shitjes së saj do të deklarohen ashtu siç ligji e parashikon në mars të këtij viti.
Paloka e cilëson shpifje lajmin e publikuar,ndërsa thotë se ato janë sponsorizuar nga mazhoranca për ta bërë pis dhe për të tërhequr vëmendjen nga aferat korruptive të qeverisë.