Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho deklaroi se largimi i këshilltarëve të LSI-së nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës u bë për të treguar se forca që ajo përfaqëson është kundër këtij koncesioni. Ndërkohë, duke folur për protestën e 16 shkurtit, Xhixho u shpreh se kjo do të jetë një protestë e gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët do të dalin e do të protestojnë kundër korrupsionit, gjendjes së vështirë ekonomike dhe për të pasur një vend më të sigurt për të jetuar.
Parkingjet e Tiranës
Sipas saj, parkingjet e Tiranës nuk duhet të jepen me koncesion duke argumentuar se jo gjithçka duhet t’i jepet privatit. “Parkingjet e Tiranës nuk duhet të jepen me koncesion, jo gjithçka duhet t’i jepet privatit. Në filozofinë tonë si parti politike jemi kundër koncesioneve dhe dhënies së gjithçkaje privatit. Edhe agjencitë ndërkombëtare i kanë cilësuar koncesionet si të dëmshme për ekonominë e vendit si edhe për korrupsionin, që mund të zhvillohet përmes praktikimit të tyre. Largimi dhe vota kundër e jona në Këshillin Bashkiak ndaj një vendimmarrjeje të paligjshme ishte për të treguar se ne jemi që institucioni i Bashkisë t’i menaxhojë vetë parkingjet”, tha Xhixho në një intervistë për Televizionin ‘Fax News’. Zyrtarja e LSI-së tha se shërbimi i makinetave për parkingjet zvogëlon korrupsionin. Ajo foli edhe për situatën në transportin publik të cilën e cilësoi si diçka që lë shumë për të dëshiruar.
Protesta e 16 shkurtit
Protesta e 16 shkurtit do të jetë kulmimi i protestave në të gjithë Shqipërinë, pikërisht për të sensibilizuar qytetarët në të gjithë vendin për të kulmuar më pas me protestën e madhe të 16 shkurtit. Më shumë se sa protesta, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se pse duhet të protestojnë dhe pse duhet t’i bashkohen kësaj proteste, e cila për mua është një mundësi reagimi, sepse për fat të keq sot ndodhemi në një situatë shumë të keqe ekonomike, kemi një papunësi në rritje. Kemi një nivel korrupsioni galopant ashtu sikurse e tha edhe ‘Transparency International’. Dhe kjo ka sjellë një dëshirë shumë të madhe të të rinjve dhe qytetarëve për t’u larguar nga ky vend. Sepse në qoftë se në ’91-ishin ata ikën për arsye ekonomike, ata sot ikin sepse nuk kanë siguri dhe nuk e shohin të ardhmen e tyre në këtë vend. Prandaj kjo është një kambanë alarmi se përse ne duhet të dalim të protestojmë kundër kësaj qeverisjeje. Kemi parë edhe përgjimet e fundit të Zërit të Amerikës, që nxorën në dritë cënimin që i bëhet demokracisë në këtë vend. Kemi protestën e studentëve e cila demaskoi në mënyrë të qartë gjithë atë propagandë të qeverisë për një Shqipëri të bukur, që zhvillohet, që ka të ardhura, etj, etj. Pra, kriza që kalojnë familjet shqiptare është jashtëzakonisht shumë e madhe.