Presidenti Meta gjatë intervistës së dhënë për radion shtetërore gjermane “DW” ka folur edhe lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Gazetarja: Kosova është në fokusin e ndërkombëtarëve dhe flitet se së shpejti mund të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ku po diskutohet edhe çështja e ndryshimit të kufijve. A mund të na jepni qëndrimin tuaj në lidhje me dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë?
Presidenti Meta: Besoj gjithmonë te dialogu, por edhe te motivi e frymëzimi për suksesin e këtij dialogu, që duhet të jetë nga të dyja palët, në këtë rast e ardhmja e përbashkët europiane.
Dua të nënvizoj rëndësinë që i kushtoj, ashtu sikurse edhe në rastin e Maqedonisë, ku e theksoj bashkëveprimi midis SHBA-ve dhe BE-së ishte kyç për të ndihmuar dhe inkurajuar deri në minutën e fundit suksesin e marrëveshjes me Greqinë.
Besoj se edhe në këtë rast, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe BE-së, por këtu dua të jem edhe më pak specifik sikurse kam qenë edhe në të gjitha takimet me drejtuesit e Kosovës, bashkëpunimi midis SHBA-ve dhe Gjermanisë do të ishte mjaft i rëndësishëm që të kemi sa më shpejt një marrëveshje, që jo vetëm garanton paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon, por njëkohësisht garanton të ardhmen europiane të të dyja vendeve, si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës. Dhe një garanci në këto momente më mirë se Gjermania vështirë ta japë dikush tjetër.
Gazetarja: Aktualisht po bëhet një presion i madh ndaj Kosovës për heqjen e tarifave ndaj Serbisë. A keni një koment me këtë çështje?
Presidenti Meta: Nuk inkurajoj asnjë barrierë apo vështirësi të shtuar në dialogun midis palëve, por dialogu duhet të vendoset gjithashtu mbi baza të drejta, jo duke ushtruar trysni vetëm ndaj njërës palë.
Gjermania, si një vend kyç dhe lider i BE-së, mund të luajë një rol më të rëndësishëm në rivendosjen e besimit dhe njëkohësisht në evitimin e barrierave të deritanishme.
Gazetarja: Duke qenë se qytetarët e Kosovës nuk gëzojnë ende të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen është përfolur edhe ideja e dhënies së nënshtetësisë shqiptare për kosovarët. Si ju duket kjo ide që ka qarkulluar së fundmi?
Presidenti Meta: Kjo nuk është një zgjidhje për arsye, sepse Shqipëria, edhe pse ka përfituar prej kohësh liberalizimin e vizave përsëri është në vrojtim, është në monitorim të respektimit të detyrimeve që vijnë nga kjo e drejtë e fituar, që kuptohet edhe mund të ndërpritet në një moment të caktuar. Pra, nuk është kjo zgjidhja.
Qytetarët e Kosovës kanë pasaportat e tyre, kanë shtetin e tyre, që njihet nga 23 vende të BE-së dhe kanë marrë një premtim. Dhe ka kaluar koha që ky premtim të mbahej, pasi liberalizimi i vizave ka qenë një proces teknik dhe ata i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë në të kaluarën, pra në Ballkanin Perëndimor, detyrimet dhe kushtet teknike.