Në Shqipëri, kriza politike është thelluar orët e fundit pasi opozita shpalli vendimin për të dorëzuar mandatet e deputetëve. PD dhe LSI tashmë janë të vendosur për të braktisur mandatet e tyre në parlament, e duket se çdo gjë është drejt zyrtarizimit, por çfarë do të prodhojë ky vendim i opozitës? Deputeti i Lëvzjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë” ka deklaruar se ky nuk është vendim i rastësishëm, por ngjarjet dhe faktet e pakontestueshme si blerja e votës, përgjimet e grupit Habilaj, etj sollën këtë rezultat. Spahiu sqaron se vendimi i opozitës për djegien e mandateve është një vendim ekstrem për mosnjohjen e një parlamenti ilegjitim me kërkesë të qartë për krijimin e kushteve normale për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Mandatet tona janë e vetmja shpresë sot për qytetarët për të gjetur zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit 28 vjeçar në Shqipëri”, ka thënë mes të tjerash deputeti Spahiu.
Djegia mandateve shënon një precedent politik, pasi është një vendimmarrje që ndodh për herë të parë, e si e tillë ka dritëhijet e veta. Pse opozita shkoi tek ky vendim? Është realisht e nevojshme, duke qenë se protesta e 16 shkurtit tregoi se ishte masive?
“Opozita nuk po djeg mandatet e saj, ajo po djeg mandatet ilegjitime të mazhorancës! Kjo faktuar tashmë!” Ky ishte reagimi im pas vendimit të grupit parlamentar të LSI për djegien e mandateve. Të njëjtin reagim apo qasje kam pasur dhe kur u njohëm me përgjimet e grupit Habilaj. Asokohe jam shprehur se 18 mandatet e PS në Tirane kanë rënë, pasi flitej për miliona euro që duheshin për “shefin” në zgjedhjet e vitit 2017. Besoj që në një vit e gjysmë pati mjaft ngjarje që faktuan blerjen e votës dhe iligjimitetin e këtij parlamenti, jo vetëm në Tiranë por në mbarë vendin, sidomos përgjimet për Lezhën, Durrësin e Dibrën. Janë pikërisht këto fakte të pakontestueshme që derdhën mijëra qytetarë në protestë dhe krijuan bindjen për djegien e mandateve të deputetëve.
Duket si rastësi, por vendimi i opozitës për të djegur mandatet korrespondoi me 2 vjetorin e “Çadrës” së famshme, e cila u ngrit pikërisht me datë 18 shkurt 2017, dhe për 3 muaj qëndroi në sheshin para Kryeministrisë! A ka gjasë që nisma e opozitës sot të mos ketë fatin e “Çadrës së Lirisë”?
Vendimi i opozitës për djegien e mandateve është një vendim ekstrem për mosnjohjen e një parlamenti ilegjitim me kërkesë të qartë për krijimin e kushteve normale për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është një vendim i një fronti opozitar që kurrësesi mund të ketë fate marrëdhëniesh apo marrëveshjesh në kushte të vështira apo të pabarabarta të njërës palë apo tjetrës.
A i druheni një kundërshtimi nga elementë të caktuar të kampit opozitar të cilët mund të refuzojnë lënien e mandatit, apo nëse dikush nga listat e kandidatëve vendos ta marrë atë mandat? Pra çfarë do ndodhë me listat e kandidatëve pas djegies së mandateve?
Aspak jo. Nëse dikush do të marrë dhe të mbajë mandatet e opozitës është thjesht qëndrim personal që gjithësecilin e pozicionon në cilin krahë është. Besoj që djegia e mandateve do të vijojë nga të gjithë pa përjashtim, si papajtueshmëri me keqqeverisjen, varfërinë, votën e vjedhur, mungesën e shpresës, arrogancën dhe modelin më korruptiv qeverisës në rajon.
Të enjten opozita ka paralajmëruar protestën e radhës? Do jetë opozita në parlament, apo në protestë, për ta shndërruar sallën e Parlamentit “në arenë” përplasjesh me mazhorancën? Do tentojnë qytetarët të hyjnë brenda parlamentit?
Thelbi i gjithë kësaj historie është ndërprerja e marrëdhënieve të opozitës me parlamentin. Nga dje ne nuk jemi më deputetë dhe marrëdhenia jonë me parlamentin do të jetë e njejtë me sjelljen e çdo opozitari të thjeshtë shqiptar.
A ka opozita një emër të kandidatit për kryeministrin e përkohshëm, që do të jetë dhe njeriu që i siguron opozitës garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme?
Ky është problemi më i vogël për zgjidhje. Çdo emër perveç Edi Ramës do të krijonte kushte më të mira për një marrëveshje drejt zgjedhjesh normale e më të mira se katastrofa e zgjedhjeve të vitit 2017. Megjithatë, kjo është hallka e fundit e diskutimit.
Brukseli apelon opozitën se djegia e mandateve, është kundër integrimit në BE. Është koincidencë që aksioni opozitar nis disa muaj para se BE të flasë për anëtarësimin e vendit në BE?
Të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme është mundësia më e madhe që mund t’i japësh të ardhmes europiane të Shqipërisë. Procesi i integrimit është kërkuar nga opozita edhe si garanci kontrolli ndaj mazhorancës që ka kapur gjithçka, çdo institucion, si prokurori e gjykata. Gjithashtu kujtoj dhe shqetësimin apo 10 pyetjet e parlamentarëve holandezë për qeverinë rilindase sa i takon situatës korruptive me koncensione apo PPP ku në mjaft raste qeveria ka kapërcyer edhe marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Kjo do të thotë se goditjen më të madhe bllokuese këtij procesi po ia jep kupola qeverisëse! Mandatet tona janë e vetmja shpresë sot për qytetarët për të gjetur zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit 28 vjeçar në Shqipëri.