Me ndërkombëtarët apo pa ndërkombëtarët? Me SHBA-në, me BE-në, apo kundër tyre? A jo, jo, refuzoj t’i përgjigjem kësaj pyetje. Refuzoj të përgjigjem sepse sot nuk shtrohet kështu pyetja. Pyetja themelore që shtrohet sot në këtë shtet që quhet Shqipëri është kjo: a kemi të drejtë ne si qytetarë të këtij vendi të kemi zgjedhje të lira. A kemi të drejtë të refuzojmë, protestojmë me çdo mjet kundër një regjimi që na i vjedh taksat përmes PPP- ve, që e mbush vendin me kanabis, që e bën Shqipërinë Kolumbinë e Evropës, që kriminelët dhe banditët i fut në parlament dhe i bën drejtorë, kryetar bashkish, ministra, që me paratë e krimit i blen votat duke e kthyer demokracinë në një farsë dhe insitucionet e vendit në përfaqësuese të krimit të organizuar?
Pyetja shtrohet nëse e duam Ramën edhe kryeministër edhe ministër, edhe kryeprokuror, edhe kryetar bashkie, edhe gjykatës edhe polic, edhe arkitekt edhe piktor edhe shkrimtar edhe gazetar edhe kryeredaktor, edhe ambasador të të gjitha përfaqësive diplomatike. Jo nuk e duam (edhe pse ka ende të tjerë që e duan). Dhe protestojmë kundër tij. Nëse përfaqësitë diplomatike na kushtëzojnë dashurinë për vendet e tyre demokratike, me nënshtrimin ndaj Ramës, normalisht që faji është i atyre jo i yni. Sepse qëndrimin dhe protestën ndaj Ramës e kemi mësuar prej historisë dhe kulturës së atyre vendeve. Dhe kemi mësuar se ato vende i kanë fituar lirinë dhe të drejtat demokratike me beteja të mëdha, jo rrallëherë edhe të përgjakshme. Natyrisht sot rrugët e tyre nuk kanë nevojë të përgjaken, se kujtimi i atyre betejave i bën liderat dhe elitën e tyrë politike të vetëdijshme për atë që u ndodh nëse tallen me qytetarët dhe insitucionet, nëse dalin mbi ligjin. Le t’u bëjmë një pyetje përfaqësive diplomatike: A janë ata me parimet demokratike të vendeve që ato pretendojnë se i përfaqësojnë.
Nëse po le t’u thonë shqiptarëve se çfarë i ndodh një kryeministri që e mbush parlamentin me banditë ? Le t’u thonë shqiptarëve se çfarë i ndodh një qeverie që deklaron se do të hapë treqind mijë vende pune dhe në vend të kësaj prodhon një mjerim e skamje të tillë sa bën të largohen nga Shqipëria në një vit 300-400 mijë qytetarë? Le t’u thonë shqiptarëve se çndodh me një qeveri kur dy ministra rendi shkarkohen për lidhje direkte apo indirekte me krimin e organizuar? Le t’u shpjegojnë se si ka mundësi që një parti e fiton mandatin e dytë, pa program dhe vetëm me disa batuta dhe se si po ato ditë 60% e tyre duan të largohen nga vendi qeverinë e të cilit sapo e kanë votuar në mazhorancë absolute? Le t’u thonë shqiptarëve nëse ndonjë nga kryeministrat e tyre u nxjerr gjuhën deputetëve në parlament?.
Ja pra pse pyetja nëse PD, opozita dhe Basha janë pro apo kundër Evropës dhe SHBA-së është thjeshtë një propagandë e shpifur. Dhe presioni që bëhet mbi ta nuk do të prodhojë asgjë, siç nuk ka prodhuar në këto 6 vjet asgjë propaganda e shfrenuar socialiste. Opozita ka ndërmarrë një akt serioz, të paktën kështu deklarojnë, (kjo mbetet për t’u vërretuar në ditë në vijim), të bëjë një betejë për zgjedhjet e lira. Akti është ekstrem, akti është i tillë që në kohë normale nuk do duhej marrë, por ja që realiteti shqiptar i tillë është i ekstremeve dhe kontrasteve. Kështu që pyetja e vetme që i bëhet sot opozitës do të duhej të ishte nëse ajo është pro demokracisë, pro shtetit ligjor, pro zgjedhjeve të lira nëse ajo është pro apo kundër qytetarëve të revoltuar. Ata kanë zgjedhur të përgjigjen po, dhe kanë filluar një rezistencë qytetare, të njëjtën rezistencë qytetare që e ndërprenë përgjysëm kur ngritën çadrën, çadrën që e shkrehën nën presionin e ndërkombëtarëve, të cilët u premtuan jo pak sa për t’i nxjerrë nga çadra. Pastaj i harruan të gjitha dhe paratë e krimit u derdhën lumë në zgjedhje. Dhe ja ku jemi. Me ndërkombëtarë që në vend që t’u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen kundër një regjimi të korruptuar, u bëjnë thirrje deputetëve të rebelohen kundër një lëvizje që synon shembjen e këtij regjimi.
Por ne nuk kemi të drejtë t’u kërkojmë llogari ambasadorëve, pasi nuk jemi ne ata që i zgjedhim dhe janë të tjerë ata që u kërkojnë llogari. Ta zemë, para pak kohësh ambasasadori Lu na premtoj se do i kapte të gjithë peshqit e mëdhenj me rrjetën e drejtësisë së reformuar. Ai iku ambasador se di se ku, por kjo rrjeta e drejtësisë jo vetëm që po del e zbrazët, por prej saj po shpëtojnë edhe ca peshq të mëdhenj të kapur vite më parë. Por ne nuk mund t’i kërkojmë asgjë Lu-së, thjesht se ai jep llogari para qeverisë dhe qytetarëve të vet, jo para nesh Nuk kemi të drejtë as t’i ofendojmë siç po bën dikush këto ditë meqenëse axhenda e tyre nuk përputhet me tonën. Thjeshtë u themi se kemi të drejtë të luftojmë për të njëjtat të drejta dhe liri që gëzojnë qytetarët e tyre. Kjo na përcakton si properëndimorë e jo nënshtrimi ndaj Ramës. Këtë se pranojmë edhe sikur të na shpallin antievropianë, antiamerikanë, antikanadezë, antiafrikanë. Jo, Jo, faleminderit, jo Edi Ramën, mos na e paketoni si çështje zgjedhje perëndimore. Se Edi Rama dhe regjimi tij lidhje me Evropën nuk ka. Se Edi Rama dhe ministrat e tij lidhje me qeverisjen e mirë nuk ka. Se Edi Rama dhe shteti i tij lidhje me shtetin e së drejtës nuk ka. Se drejtësia e Edi Ramës lidhje me drejtësinë e pavarur amerikane nuk ka. Mos na thoni gjëra pa lidhje. Mos na shtroni pyetje pa lidhje. Shkunduni nga gjumi.
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.