Opozita sot protestë para Kuvendit

E Enjte, 21 February 2019 07:30

Opozita do të protestojë sot para Kuvendit, protesta e dytë radhazi kjo pas tubimit masiv të 16 shkurtit para Kryeministrisë.

Një ditë më parë deputetët e opozitës firmosën formularin për lënien e mandateve parlamentare.

Prej orëve të mëngjesit dhjetëra qytetarë nga rrethet janë nisur drejt Tiranës.

Mësohet se mbi 1000 forca policie do të angazhohen në mbarëvajtjen e kësaj proteste.

Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestën e së shtunës. Përballë protestuesve me një kordon që do të jetë përgjatë gjithë rrethimit të Parlamentit do të jenë punonjësit e rendit, ndërsa forcat Shqiponja dhe FNSH do të jenë në gatishmëri në bulevardin “Zhan Dark” dhe brenda rrethimit të xhamisë së Namazgjasë.

Në gatishmëri pranë godinës së Parlamentit do të jenë edhe Garda e Republikës, e cila në rast se nga ana e protestuesve do të ketë tentativa për të hyrë në Parlament dhe për të berë akte dhune do të përdorë gaz lotsjellës.

Në gatishmëri pranë ambienteve të Parlamentit do të jenë dhe zjarrfikëset dhe ambulancat.

Kufizime për qarkullimin rrugor do të ketë tek “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark”.

Login to post comments