Shkarkohet përfundimisht Afrim Qendro dhe 11 punonjës të tjerë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Qendro u shkarkua disa javë më parë nga posti i drejtorit pas skandalit të Unazës së Madhe por më pas vijoi punën si inxhinier pranë ARRSH.
Sonila Qato, tashmë drejtoresha e re e ARRSH ka firmosur përfundimisht shkarkimin e Qendros nga çdo funksion në këtë institucion, si dhe shkarkimin e 11 punonjësve të tjerë të cilët dje kanë shkuar në punë si zakonisht por janë ndeshur me një situatë aspak të zakontë pasi nuk janë lejuar të futen brenda.
Kjo është shoqëruar me përplasje në derën e institucionit ku dy persona rrinin me listë në dorë dhe nuk lejonin të futeshin brenda zyrtarët të cilët ishin shkarkuar. Edhe zv.drejtori i ARRSH Ergys Verdho është penguar të hyjë në ambientet e ARRSH.
“S’e kam emrin në listë o budalla, a jeni në vete a jo, si më ndalon mua të hyj në institucion”, dëgjohet të thotë në këtë video të TCh zv.drejtori.
Shkarkimi i Afrim Qendros dhe punonjësve të tjerë është bërë me motivacionin e mungesës së besimit dhe të moszbatimit të rregulloreve.