Mesnata e 21 korrikut 2016 shënoi pa dyshim një ngjarje historike. Pas shumë debatesh madje edhe kërcënimesh, Parlamenti shqiptar votoi Reformën në Drejtësi.
Si rrallë herë, rezultati ishte 140 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër. Por kush do ta mendonte atëherë se edhe pas 3 vjetësh reforma e shumë pritur në drejtësi do të ishte shumë larg zbatimit të saj.
Në këtë situatë nuk janë të paktë zërat që mendojnë se reforma në drejtësi po shkon drejt dështimit. E para opozita, që pretendon se drejtësia po kapet nga Edi Rama, Kryeministri aktual. Të tjerë skeptikë ka edhe në radhët e ekspertëve, të cilët mendojnë se përzgjedhja e anëtarëve për KLP e KLGJ nuk është bërë ashtu siç duhet duke argumentuar se nuk janë ata më të mirët ndër profesionistët e fushës.
Zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku ishte një tjetër moment, i cili u diskutua dhe vazhdon të kontestohet jo vetëm nga opozita. Nën tym dhe protesta, Arta Marku mori postin e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, nën akuzën se është vegël e Kryeministrit. Përpara djegies së mandateve, opozita propozoi në fund të muajit janar një amendament kushtetues të firmosur nga 55 deputetë të saj me anë të të cilit synojnë shkarkimin e Arta Markut dhe zgjedhjen e një prokurori të ri me 84 vota, pra me konsensus.
Nga ana tjetër, socialistët reaguan menjëherë duke e konsideruar propozimin e opozitës si një varrosje të reformës në drejtësi dhe kthimin e saj në pikën zero. Si arsye kryesore të situatës së krijuar së fundmi, djegies së mandateve nga opozita, socialistët gjejnë frikën nga SPAK dhe BKH, dy institucionet që do të kenë në fokus prangosjen e çdo zyrtari të korruptuar.
Për të folur për situatën e krijuar në Reformën në Drejtësi u diskutua në A2 Debat, ku përballë njëri-tjetrit ishin avokatët Kastriot Frashëri dhe Ledio Braho.
“Edhe vetë hartuesit e reformës nuk e kishin parashikuar këtë situatë. Për mua nuk është reformë. Kjo nuk është reforma që duhej. Unë jam skeptik pasi nuk kam parë asnjë rezultat. Nuk mund të themi që janë shkarkuar disa gjyqtarë dhe është kryer reforma. Janë zbatuar dy standarde deri tani. Një reformë që synon të pastrojë këtë sistem, është njollosur pasi janë përdorur dy standarde”, u shpreh avokati Kastriot Frashëri.
“Kjo reformë ka lindur e vdekur. Produkti i vetëm janë vetëm disa qytetarë të shkarkuar. Deri tani ka pasur dy standarde, që tregon se mund të ketë edhe një kapje politike nga mazhoranca, pasi ajo ka ngritur flamurin për këtë reformë. E ka lënë vendin edhe pa organet e rëndësishme vendin. Sistemi vetëm është përkeqësuar. Ka një frikë edhe të gjyqtarët dhe prokurorët dhe jo nga ligji, por nga politika”, tha ndër të tjera avokati Ledio Braho.