Në datën 2 mars të këtij viti, u zbardh një letër e kryetares së bashkisë së Përrenjasit, Miranda Rira, dërguar të gjitha përfaqësive të huaja në Tiranë, ku ngrinte shqetësimin dhe alarmin ndaj një vendimi politik të Partisë Socialistë, për të bllokuar buxhetin në këtë bashki.
Në atë periudhë sipas letrës së Rirës, situata paraqitej teje shqetësuese dhe akuzoheshin përfaqësues të lartë të partisë në pushtet, se këtë bllokim po e bënin thjesht për arsye politike.
Duket në pritje të një reflektimi nga ana e PS-së, sot pas gati 1 muaji ku situata në bashkinë e Përenjasit ka agravuar në kolaps të plotë, kryetares Rira i ka kthyer përgjigje ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca. Ambasadori mes të tjerave i shkruan Rirës, se “nuk është detyrë e delegacionit që të ndërhyjë në marrëdhëniet politike brenda institucioneve shqiptare” dhe i ka kërkuar kryebashkiakes, që të gjejë një zgjidhje për këtë problem sa më shpejt, edhe pse kjo e fundit i ka treguar qartë që zgjidhjen e ka në dorë PS dhe Taulant Balla.