Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, e ftuar në emisionin ‘Arena’, ka folur për deklaratat e Ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakajt për shkarkimin e disa punonjësve të Ministrisë së Jashtme.
Dade është shprehur se deklaratat e Cakajt janë antiligjore, pasi ministria e Jashtme e ushtron aktivitetin sipas ligjit.
Sipas Dades këto deklarata nuk kanë ndodhur ndonjëherë më parë.
‘Legjislacioni e përcaton qartë se çfarë detyrash ka zëvendësministri, dhe për rrjedhojë ligjërimi i tij lidhur me kërcënimin apo informim në media, nuk besoj që ka ndodhur ndonjëherë që lëvizjet në rastin konkret të diplomatëve të bëhën duke u dhënë paralajmërim përmes mediave. Ka ndodhur me kryeministrin në fillim të këtij mandati në një takim me ambasadorë, të cilët kanë qenë emërtesa e vetë kryeministrit lidhur me nxitjen për të pasur një diplomaci më efektive nga ana ekonomike, ai bëri disa deklarata në mënyrë arrogante dhe pas kësaj nuk vumë re asnjë lëvizje nga ana e ambasadorëve që janë nën autoritetin e kryeministrit. Këto deklarata pikë së pari janë antiligjore, pasi ministria e Jashtme e ushtron aktivitetin sipas ligjit. Kriteret për tu rekrutuar ishin disa emotive, të punohet me shpirt, dashuri dhe jo të bazuar në disa kritere të ligjit. Kjo që ka ndodhur nuk ka ndodhur asnjëherë. Ne po bëhemi dëshmitarë të disa risive që në vend që ta konsolidojmë shtetin ligjor, por e cënojnë dukshëm në mjaftë drejtime’, tha Dade.