KLSH: Pas 2013-ës, vjedhjet në shtet janë 5-fishuar

Hënë, 29 Prill 2019 15:55

Instalimi i qeverisë socialiste në pushtet e ka shndërruar Shqipërinë në një republikë të mirëfilltë kleptokratike. Alarmi vjen nga një raport tronditës i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Raporti, i cili i është përcjellë edhe Kuvendit të Republikës, ka krahasuar shifrat e vjedhjeve në shtet që nga viti 2002 e deri më sot.

Nga krahasimi, rezulton se pas vitit 2013, abuzimet financiare në shtet janë rritur me mbi 5 herë duke e bërë qeverinë e Edi Ramës kampionen e abuzimeve me fondet publike në historinë e Shqipërisë.

Image

‘Dëmi i konstatuar ka një prirje të qartë negative në vitet e fundit,’ thuhet në raportin alarmant të KLSH-së që i është përcjellë Kuvendit.

Shifrat e vjedhjeve

Sipas KLSH, për periudhën 2006-2013, abuzimet financiare të zbuluara në shtet ishin në total, 61.9 miliardë lekë ose me një mesatare prej 7.7 miliardë lekësh në vit. Por pas vitit 2013, me ardhjen e qeverisë socialiste në pushtet, shifra e abuzimeve ekonomike është rritur me ritme të frikshme.

Më konkretisht për periudhën 2014-2018, pra në vetëm 5 vjet janë konstatuar në total plot 198.1 miliardë lekë dëme ekonomike ose mesatarisht 39.6 miliardë lekë për çdo vit të qeverisë socialiste në pushtet. Kjo do të thotë se me ardhjen e qeverisë socialiste në krye të vendit abuzimet me fondet publike janë rritur me 5.1 herë.

‘KLSH, konstaton se mbetet shumë për të bërë për të krijuar kulturën e përgjegjshmërisë menaxheriale dhe për të garantuar një sistem të menaxhimit financiar dhe kontrolli sa më efektiv,’ thuhet në raport.

Raporti i KLSH konstaton një shifër të frikshme me keqmenaxhimin e taksave të qytetarëve të cilat kanë ardhur si nga shpenzimet jo me efiçencë, ashtu dhe nga shkelja e ligjit për qëllime abuzimi me fondet publike.

© SYRI.net

Login to post comments