Gjatë takimit me të rinjtë në kryeqytet, kreu i PD Lulzim Basha është shprehur se, djegia e mandateve ka qenë vendimi më demokratik i opozitës, ndërsa theksoi edhe një herë se, largimi i Ramës nga posti i kryeministrit është i panegociueshëm.
“Largimi i Ramës është i panegociueshëm, qeveria transitore është rruga e vetme. Nuk mund të ishim më pjesë e teatrit të kukullave. Në cilin vend të botës parlamenti voton ligje që ti marrë lekët e shumicës e t’ia japë pakicës. Në cilin vend të botës nuk rriten rrogat e mjekëve dhe infermierëve, këto lekë shkojnë dhe bëhen koncesione. Madje në cilin vend të Ballkanit ndodh që shteti të mos parashikojë subvencione për fermerin dhe të ketë një politikë kaq çnjerëzore ndaj fermerit. Sot të punosh tokën në Shqipëri nuk është më bekim, por mallkim. Djegja e mandateve ka qenë vendimi më demokratik i PD dhe aleatëve të saj. Asgjë nuk na ndal, asnjë imunitet, asnjë privilegj. Ballë për ballë me të keqen. Jemi të sigurtë se jemi shumica politike dhe morale”, u shpreh kryedemokrati.