‘Ky është një vendim thjesht dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda, ku nuk është sekret, ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, intensivisht kundër emigrantëve, intensivisht kundër shqiptarëve.
Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste, në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës, në Bashkimin Europian dhe agresive kundër politikës europiane të zgjerimit’.
Kështu deklaroi një muaj më parë kryeministri Edi Rama, pasi parlamenti holandez votoi me shumicë që të kërkohet rikthimi i vizave me Shqipërinë.
Lajmi i keq nga Holanda u komentua nga qeveria si një qasje raciste dhe populiste në kuadër të zgjedhjeve europiane, edhe pse në parlament votuan pro partitë kryesore.
Por teksa Holanda ka nisur e para zgjedhjet europiane, asnjë lajm shqetësues nuk ka mbërritur nga ky vend. Partitë pro-europiane, sipas sondazheve, janë pranë fitores në Parlamentin Europian, kurse euroskeptikët nuk janë as afër pritshmërive të mëparshme.
Socialdemokratët e zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Frans Timmermans pritet të fitojnë pesë vende nga 26 që ka Holanda në total në Parlamentin Europian.
Partia kristiandemokrate e kryeministrit Mark Rutte pritet të marrin 4 vende.
Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve?
Ekstremisti i djathtë, Geert Wilders. Ai ka marrë vetëm 4 përqind dhe pritet të humbasë tre nga katër vende në Parlamentin Europian.
E djathta ekstreme në Europë mori një goditje të fortë në prag të zgjedhjeve, me dorëheqjen e zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache.