Ish-deputeti Tritan Shehu ka bërë të ditur se mijëra protestues nga qarku i Gjirokastrës i janë drejtuar Tiranës për të marrë pjesë në protestën kombëtare që nis në orën 19:00 në Tiranë.
Në një shënim në Fb, Shehu jep detaje nga ky rrugëtim i qytetarëve: “Për t’u përballur me narkoshtetin, një ”karvan” impresionues protestuesish prej Gjirokastrës, Dropullit, Libohovës, Tepelenës, Memaliajt, Këlcyrës e Përmetit ka filluar që dje lëvizjen e tij për t’u bërë pjesë e protestës. Janë më shumë se asnjëherë sot, mbi 2400, në rrugëtim apo tashmë në Tiranë.
Fermerë, intelektualë, studentë, punonjës, të papunë, gra e burra, të gjithë të revoltuar nga qeverisja e Rilindjes, plot energji e besim në ndryshimin, koshientë që do të jenë protagonistë të tij.
Dhe kanë të drejtë; vijnë jo vetëm të protestojnë, por që të imponojnë ndryshimet duke i thënë “mjaft”,
varfërisë, papunësisë, mungesës së kujdesit për bujqësinë e blegtorinë, pamundësisë për të studiuar e diplomuar, kushteve afrikane të shëndetësisë, arrogancës e represionit shtetëror, deformimit të demokracisë e votës, të pësuara mbi ata, por tashmë edhe të publikuara nga media ndërkombëtare.
Vijnë të revoltuar nga shkelja e interesave tona kombëtare, bllokimi i integrimit të vendit në BE, çuarja e tij drejt “Lindjes”; vijnë për të përmbysur “të keqen”, për të ndërtuar një të ardhme dinjitoze. Respekt për ata, respekt për të gjithë banorët e atij qarku me vlera të mëdha!”
© SYRI.net