Qytetarë të shumtë janë nisur nga Fieri për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e thirrur sot nga opozita e bashkuar.
Në nisje, kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi foli për deklaratën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ai tha se frika e tyre është për Edi Ramën, sepse ai duhet të largohet. Baçi deklaroi se protesta do të jetë paqësore.
“Më vjen keq për deklaratën në fjalë. Nuk ka arsye për një deklaratë të tillë. Frika e tyre është për Edi Ramën se pse Rama duhet të jetë personi që duhet të largohet. Edhe protestat për këtë arsye janë. Protestat e PD janë të fuqishme, paqësore dhe të qëndrueshme. PD ka treguar se di të organizoj dhe menaxhoj protesta. Qëllimi kryesor është përmirësimi i jetës së qytetarëve, realizimi i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira dhe për një Shqipëri proeuropiane”, deklaroi kreu i PD Fier.
Pyetjes se a do të ketë zgjedhje në 30 qershor Baçi i është përgjigjur se nuk është thënë se nuk do të lejohen zgjedhjet, por në 30 qershor nuk ka zgjedhje. “Dhe zgjedhje nuk mund të ketë pasi që të ketë zgjedhje duhen dy alternativa. Në 30 qershor parashikohen votime. Votime janë bërë edhe në kohën e Enver Hoxhës, ndaj zgjedhje nuk ka si të ketë. Ne nuk do të pengojmë qytetarët, ne nuk do të lejojmë të ketë zgjedhje”, deklaroi Baçi.
Lidhur me paralajmërimin se kush prish zgjedhjet mund të futet në listën e zezë, Baçi tha se është një alarm pa vend. “Një presion i kryeministrit Rama i cili vazhdon nga presione për heqjen e vizave. Ka harruar fjalën burg. Të gjithë kanë dalë në shesh dhe do të jenë më të shumtë në numër. Nuk do ketë zgjedhje në 30 qershor pasi s’mund të kthehemi në monizëm”, tha ai.