Me t’iu bashkuar protestës para kryeministrisë kreu i opozitës Lulzim Basha mori mikrofonin ku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive, ndërsa komentoi vendimin e presidentit Ilir Meta për vendimin e marrë, atë të anullimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Kjo javë e mbushur me zhvillime të jashtëzakonshme, në Shqipëri, në Gjermani e Europë, të cilat janë të lidhura direkt me fatin e vendit tonë, me rrugën tonë drejt Europës, ka marrë një kthesë, ndaj më lejoni ta nis duke ju falënderuar ju vëllezër dhe motra që jeni forca e pandalshme e ndryshimit që po vjen. Në këto që po flas, ashtu si e keni dëgjuar, falë vendosmërisë suaj, falë bashkimit të shqiptarëve të lirë, presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anullimin e 30 qershorit. Kjo është rezultat i qëndresës suaj, i besimit tuaj te vlerat evropiane. Ishte ky bashkim që ndikoi anullimin e 30 qershorit”, u shpreh Basha në hyrje të fjalës së tij.