Kërcënimeve të kryeministrit Edi Rama pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të çdekretuar 30 qershorin si datë zgjedhjesh lokale, i kthen përgjigje ish zv/ministrja e tij e financave, Irena Beqiraj.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Beqiraj i rikujton kryeministrit Edi Rama 5 majin e 2017-ës, kur vetë ai, në një konferencë për shtyp do të njoftonte anullimin e zgjedhjeve të pjeshme lokale në bashkinë e Kavajës.
Më tej, ish zv/ministrja i kujton kreut të qeverisë se, vendimet e presidentit të Republikës ka tagrin ti gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese.
“Djepin e gjykatës kushtetuese e kemi bosh. A mund ta zëvendësoni Ju? Besoj që nuk do t’ja lejoni vëtes këtë vetëvrasje politike”, shkruan Beqiraj.
Në fund, ajo shprehet: “Fitoret sot u takojnë atyre të cilët braktisin egot tepër mbizotëruese dhe joproduktive”.
Reagimi i plotë:
Mos Vrisni kalin e Betejës!
Datë 5 Maj 2017, ditë e Enjte mbasdite, në një konferencë për shtyp, kryetari i maxhorancës , njëherësh edhe Kryeminstër, deklaroi që partia Socialiste tërhiqte Kandidatin për kryetar në Bashkinë e Kavajës, duke i anulluar zgjedhjet e 8 Majit për këtë bashki. Një vendim që i jepte në atë kohë një mundësi për reflektim opozitës së ngujuar në cadrën butaforike të republikës së re.
Një njeri i zgjuar, në mendimin tim modest, më i mencuri që njoha në ato qarqe ,këmbëngulte për këtë tërheqje . “Duhet të tërhiqemi nga zgjedhjet e 8 Majit për Bashkinë e Kavajës , duke dhënë kështu një shenjë të qartë që Maxhoranca nuk e sheh pushtetin si mjet për të treguar forcën, por një mjet me anë të të cilit , siguron qetësinë dhe prosperitetin e vendit.”
Besoj të gjithë ju e mbani mend festën në cadrën e republikës së re ,pas këtij lajmi. Unë nuk mund ta harroj. Aty mësova se si një betejë e humbur ose e fituar ,mund te përshkruhet dhe interpretohet lehtë , por kurrësesi nuk mund të vlerësohet lehtësisht. Cdo fitore të vendos përballë sfidave të reja dhe më të mëdha dhe fituesi i vërtetë është ai që i tejkalon të gjitha.
Dekreti i Presidentit për anullimin e zgjedhjeve , ka zëvendësuar zërin racional që kërkonte ndërnesh në datë 5 Maj 2017, që maxhoranca të tërhiqej. Shfrytëzojeni! Ndryshimi ndodh duke dëgjuar dhe duke filluar një dialog , pikërisht me njerëzit që në mendimin apo opinionin tuaj po bëjnë , apo kanë bërë dicka tërësisht të pa drejtë.
Edhe pse maxhorancë absolute, hiqni dorë nga qëndrimi prej shpëtimtarësh dhe gardianësh të Kushtetutës! Jeni vetëm interpretues të saj! Jeni vetëm zbatues të saj! Sado të zotë edhe të përkushtuar të jeni , në mbrojten e saj , jeni në pamundësi për të vendosur që qëndrimi juaj është më i drejti. Nuk mund ta vendosni ju cfarë është e drejtë ose jo.
Vëtëm Gjykata Kushtetuese, ka tagrin për të gjykuar, nëse vendimi i Presidentit është i drejtë dhe në zbatim të kushtetutës. Gjykimi juaj, apo i kujdo tjetër në rastin më të mirë është vetëm qëndrim, në rastin më keq paragjykim.
Djepin e gjykatës kushtetuese e kemi bosh. A mund ta zëvendësoni Ju? Besoj që nuk do t’ja lejoni vëtes këtë vetëvrasje politike.
Ju duhet të disiplinoni egon e zënë në kurthin e pushtetit të numrave . Ju duhet ta shikoni shtyrjen e datës së votimeve, si një mundësi për të ofruar zgjidhje dhe zgjedhje. Ju duhet të jeni mendjehapur dhe të shihni që u është dhënë një mundësi e pastër për të shqyrtuar djalogun “që është ofruar “ në 7 letra tanimë ,nga kryetari juaj, - Të merrni përsipër të kryeni edhe funksionet e gjykatave, është njësoj si të vrisni “ kalin tuaj të betejës “ , i cili është “një drejtesi larg politikës” .
Fitoret sot u takojnë atyre të cilët braktisin egot tepër mbizotëruese dhe joproduktive.
Shpresoj të këtë akoma gjykim të ftohtë ndërjush!