E gjithë vëmendja nga Presidenca, edhe ambasadorët takim me Metën

E Enjte, 27 June 2019 13:30

Presidenti Meta ka zhvilluar dhe po zhvillim sot një sërë takimesh në kuadër të zgjidhjes së krizës politike.

Aktualisht Presidenti Ilir Meta po zhvillon një takim me disa ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Luigi Soreca, ambasadori i Francës dhe ambasadori i Britanisë së Madhe janë duke zhvilluar një takim me presidentin Ilir Meta.

I pari që mbërriti në Presidencë ishte Ilir Meta. Ora shënonte 5:00 e mëngjesit. Pak orë më vonë eskorta e kryeministrit Edi Rama do të kalonte pranë Presidencës, jo për takim me Ilir Metën, por për të çuar shefin e qeverisë për të kaluar disa momente çlodhjeje në një pishinë pranë një qendre sportive.

Në orën 9:00 në presidencë do të mbërrinte kreu i PD-së, Lulzim Basha. Rreth 25 minuta zgjati takimi Meta- Basha, e më pas Presidenti do të njoftonte në facebook, se kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë.

Më pas radhën e kishte Petrit Vasili nga LSI. Edhe në këtë rast mesazhi që shpërndau kreu i shtetit ishte i njëjtë. Në Presidencë u pa të futej edhe zonja Jutta Gutzkoë përfaqësuese e Këshillit të Europës, e cila një ditë më parë do të njoftonte anulimin e misionit vëzhgues për zgjedhjet.

Kryetarët e PR, LZHK, PDK, PBDNJ dhe PAA do ta kishin radhën për një takim me kreun e shtetit. Aleatët e PD-së kanë qenë të parët që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, edhe përpara se presidenti të nxirrte dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit.

Ftesa për bisedë iu dërgua nga presidenti edhe kryeministri Edi Rama, por ky i fundit e konsideroi një “lojë me letra”, duke theksuar se zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor.

Modifikuar më E Enjte, 27 June 2019 13:53

Video

Login to post comments