Përfaqësuesi i DASH Mathew Palmer, gjatë intervistës së dhënë për Zërin e Amerikës, ka përgënjeshtruar lajmet e përhapura në mediat e kontrolluara nga Edi Rama, se SHBA ka kërcënuar opozitën, nëse do të ketë dhunë në ditën e zgjedhjeve.
Duke folur për Zërin e Amerikës, Palmer është shprehur se nuk komenton situata hipotetike.
Pjesë nga intervista e dhënë në Zërin e Amerikës
Zëri i Amerikës: Më parë ju keni thënë se udhëheqësit e opozitës duhet të mbajnë përgjegjësi nëse ka dhunë, se ata do të jenë personat përgjegjës për të. Ka patur njoftime në shtyp për udhëheqësit e dy partive kryesore të opozitës, PD dhe LSI-së, se në qoftë se ka përpjekje me dhunë për të bllokuar zgjedhjet e së djelës, partitë e tyre do të rrezikonin të futeshin në listën e Shteteve të Bashkuara të organizatave që janë objekt sanksionesh nga Uashingtoni. A ekziston një rrezik i tillë për to?
Mathew Palmer: Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme.