Partia Demokratike ka publikuar sot, faturën e luksit në hotelin e Barcelonës, 908 euro nata për nënkryetarin e bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, paguar nga përfituesi i qindra miliona euro tendera nga bashkia, Shkëlqim Fusha.
Partia Demokratike bëri të ditur se kompania Fusha, e lidhur ngushtë me paratë publike, veçanërisht me paratë publike të qytetarëve të Tiranës, në kohën kur sapo kishte gllabëruar tenderin e rradhës, atë për rehabilitimin e bulevardit Zogu i parë, ka hapur qesen për drejtuesit e bashkisë.
Në media është publikuar një faturë e një hoteli luksoz në Barcelonë, ku nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata. Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro.
Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit .
Pra, përfituesi më i madhe i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë të cilët prej 4 vitesh nuk kanë kursyer firmat për tenderat qindra miliona euroshe për të.
Një skandal që në një vend minimumi aspirant për të qënë pjesë e BE, do të kishte sjellë pasoja publike dhe penale për një zyrtar që përfiton favore të tilla nga oligarkët.
Arbian Mazniku, në një vend europian apo edhe ballkanik me minimumin e standarteve sot do të kishte dhënë dorëheqjen, por ai nuk e bën një gjë të tillë se e mbron Erjon Veliaj dhe Edi Rama.