U promovua nga Ministria e Majkos, reagon mjekja: Dyfytyrësi, ika nga Shqipëria nga pasiguria

Saturday, 31 August 2019 12:47

Jana Nano është një mjekje shqiptare e cila është pjesë e grupit kërkues “Epidemiologjia e Diabetit” pranë Institutit të Epidemiologjisë në Helmholtz Zentrum München në Gjermani. Për shkak të karrierës së suksesshme, Nano u promovua edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Diasporës, e drejtuar nga Pandeli Majko.

Ministria kishte publikuar foton e mjekes shqiptare dhe një ‘Cv’ të shkurtër të saj, por veprimi është kundërshtuar ashpër nga Nano.

Për këtë arsye, ajo ka publikuar një letër të gjatë ku e konsideron dyfytyrësi sjelljen e institucioneve shqiptare, pasi për shkak të tyre shumë të rinj të talentuar zgjedhin të largohen nga vendi.

“Në këtë kontekst, kjo strategjia e Ministrisë së Diasporës me promovimin e ;Shqiptarëve në botë’, me duket e dyfytyrë dhe e cekët! E dyfytyrë, sepse shumë prej këtyre njerezve u larguan pasi nuk patën mundësi tjetër për të patur një jetë të denjë dhe të sigurtë. U larguan pasi vendi i tyre nuk ishte një opsion! Vendi i tyre nuk u dha as edhe një mundësi për të shprehur veten. Është shumë normale që njerëzit të lëvizin përgjatë jetës së tyre për të bërë eksperienca të reja pune a për të shijuar kultura të ndryshme jetese. Por ka një ndryshim të madh kur e bën këtë, sepse vendi yt nuk të siguron nevojat bazike të nje jete normale. Situata aktuale e Shqipërisë është reflektim i drejtpërdrejtë i politikave keqmenaxhuese dhe paaftesisë së drejtuesve”, shkruan ndër të tjera mjekja.

Reagimi i plotë i Jana Nanos

Thjesht rastësisht, në fakt nga urimet e miqve, vura re që në profilin e Ministrisë së Diasporës, ndër shumë profileve promovimi shqiptarësh në botë, ndodhej edhe imi (me një foto).

Ky akt është bërë totalisht pa marrë asnjë lloj aprovimi nga ana ime. Përvec shfryrjes së momentit sesi një faqe zyrtare e shtetit nuk njeh konceptet bazë të privatësisë individuale dhe nuk denjon as të dërgojë një mesazh aprovimi, një ulërimë e brendshme, e papërkufizueshme që më zgjati gjatë gjithë mbasdites më detyroi të ndaj me ju këto rreshta.

Kam rreth 8 vjet që kam ikur nga Shqipëria. Në atë kohë (studente në vitin e fundit të mjekësisë), kisha një entuziazem dhe kuriozitet të përjetoja sa më shumë alternativa të tjera organizimi (më së shumti ne kontekstin e arsimit, se ai ka qenë aktiviteti im kryesor), larg botës ku isha rrethuar. Në atë kohë, në statusin e studentit, ishim përpjekur të artikuloheshim kundër fillesave të kalbëzimit të sistemit. Por me një përqasje tmerrsisht naive, pa kuptuar sa të thella i paska patur rrënjët gangrena e arsimit shqiptar. Sot, nga skandalet e herëpashershme, protestat e studentëve, emigrimi masiv i të kualifikuarve, kuptoj që vendi ka ecur veç mbrapsht!

Ky është një zhgënjim i thellë dhe i trishtë!

Në këtë kontekst, kjo strategjia e Ministrisë së Diasporës me promovimin e ;Shqiptarëve në botë’, me duket e dyfytyrë dhe e cekët!

E dyfytyrë, sepse shumë prej këtyre njerezve u larguan pasi nuk patën mundësi tjetër për të patur një jetë të denjë dhe të sigurtë. U larguan pasi vendi i tyre nuk ishte një opsion! Vendi i tyre nuk u dha as edhe një mundësi për të shprehur veten. Është shumë normale që njerëzit të lëvizin përgjatë jetës së tyre për të bërë eksperienca të reja pune a për të shijuar kultura të ndryshme jetese. Por ka një ndryshim të madh kur e bën këtë, sepse vendi yt nuk të siguron nevojat bazike të nje jete normale. Situata aktuale e Shqipërisë është reflektim i drejtpërdrejtë i politikave keqmenaxhuese dhe paaftesisë së drejtuesve.

E cekët, sepse aktivizon dhe stimulon ndjenjat demotivuese tek njerëzit, duke i bërë të mendojnë që andej jashtë Shqipërisë, është toka e premtuar. Të vendosesh si i huaj në një vend të ri ka vështirësite e veta. Nuk ke problemet primitive si në Shqiperi, por forma të tjera si p.sh. duhet të punosh shumë për të fituar besimin e njerëzve, kërkon kohë të krijosh komunitetin tënd të njerëzve ku mund të mbështetesh pasi je totalisht vetëm, diferencat kulturore ose gjuha etj, gjëra që në vendin tënd i merr të mirqena. Të kërkohet të të rregjet lëkura, me pak fjale! Përse gjithe këtë energji te mos e japësh në vendin tend? He pra, pse nuk krijoni kushtet që këta të rinj e të reja të lulëzojne në vendin e tyre e jo gjetkë?

Prandaj, shut the f*** up!!!, kur promovoni njerëz, të cilët u larguan prej politikave tuaja të këqija! Ndihem e turpëruar për ju, që në padyfytyrësinë tuaj, krenoheni për një punë që nuk dhatë asnjë kontribut. Përkundrazi, vendi im është sot edhe me keq seç e kam lënë! Ju jeni arsyeja kryesore pse shqiptarët sot ndihen të palumtur në vendin e tyre dhe ndërmarrin kalvarin e mundimeve të pafundme të “kurbetit” me fëmijët backpak në shpatulla!

Të vetmet që duhen të ndihen krenarë janë Shqiptarët, të cilët kontribuan nga njera anë me gjenet luftarake, e nga ana tjetër, me sakrificat e djersën e familjeve, me zemrat e copëtuara ndër kontinente!

Login to post comments