Buja e skandaleve të qeverisë “Rama” tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe është lajm botëror. Korrupsioni, vjedhjet me “ligje” speciale nga Qeveria, bashkëpunimi me krimin, trafiku i drogës dhe manipulimi i zgjedhjeve, etj janë tema që ka denoncuar media ndërkombëtare si “Bild”, RAI dhe “Zëri i Amerikës”. Por jo vetëm këto të dyja. Janë rrjete televizive, gazeta dhe revista të shumta që Shqipërinë e quajnë “Kolumbia e Europës”.
Sa herë që flitet për Shqipërinë, në një pjesë të mediave, nuk harrohet të theksohet korrupsioni i lartë qeveritar, si dhe fakti që vetë zyrtarët më të lartë në pushtet janë kapur në përgjime duke bërë pazare me përfaqësues të krimit. Pas mediave të njohura në Europë dhe në SHBA, dje ishte televizioni ndërkombëtar me qendër në Katar, “Al Jazeera”, që e paraqiste situatën në Shqipëri dramatike.
Përgjimet e bandës së Shijakut ku flitet për vjedhjen e zgjedhjeve, përgjimet e Dibrës ku po ashtu diskutohen pazare elektorale me krimin, si dhe klima e censurës kundër mediave janë disa nga temat kryesore që trajtoheshin në reportazhin 15 minutsh të televizionit të njohur. Në reportazh, Shqipëria vlerësohet si një vend në kaos, ku përgjimet tregojnë zyrtarët më të lartë të shtetit bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar dhe mafies për manipulimin e zgjedhjeve. “Një zyrtar i lartë, i cili përditëson kryeministrin për votat e blera. Një bos krimi që i premton Partisë Socialiste qeverisëse, një tjetër fitore. Një anëtar i mafies shqiptare, që përgëzon ministrin për një rezultat zgjedhjesh hyjnore. Këto ishin vetëm maja e aisbergut nga një seri audio-përgjimesh shpërthyese që e çojnë Shqipërinë në një kaos politik”,- thuhet në reaportazhin e “Al Jazeera”. Theksohet se dosjet e hetimeve për përgjimet janë drejt mbylljes nga drejtësia shqiptare, ndërsa prokuroria në vend që të hetojë krimet është vënë kundër medias që i publikoi ato.
Zyrtarët e lartë të Rilindjes dhe krimi që punon për ta, ndjehen të qetë duke bërë biznes me paratë e krimit, pasi e kanë kthyer vendin në “lavatrice” parash të drogës.
Dosja e Dibrës është më e fundit në serinë e gjatë të skandaleve të Rilindjes. Ajo është më e rënda për shkak se ministrat dhe deputetë të rëndësishëm të qeverisë u kapën duke folur hapur për vjedhje zgjedhjesh. Skandali qëndron në faktin se sot kjo dosje që ka brenda manipulimin e zgjedhjeve dhe bashkëpunimi me krimin sot është dërguar në prokurorinë e Dibrës për të mos u hapur më kurrë. E vetmja që gjë që ka bërë institucionet është një padi që kryeministri ka dorëzuar kundër gazetës “Bild”, ku i kërkohet llogari pse publikoi përgjimet.
Jo vetëm askush nuk u arrestua apo ndalua për këtë dosje, por asnjë zyrtar nuk u thirr formalisht në prokurori. E njëjta skemë ka ndodhur dhe me dosjen e Shijakut, ku u faktua se votat në qarkun e Durrësit mblidheshin për PS-në nga një grup kriminal me aktivitet ndërkombëtar. Pas më shumë se një viti nga publikimi i skandaleve që kishte kjo dosje, ashtu si ajo e Dibrës, është harruar. SHBA shpalli “non grata”, kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako edhe për shkak të kësaj dosje, por institucionet shqiptare të vetmin hetim që kanë bërë është pjesërisht zbardhja e përgjimeve.
Këto janë dy dosjet jo më kryesore, por të vetmet kur bashkëpunimi mes krimit dhe politikës është faktuar me përgjime zyrtare nga Prokuroria Shqiptare. Ndërkohë skandalet e tjera korruptive janë të pafundme. Shumica e koncesioneve dhe tenderave të kësaj qeverie, ku shifrat kalojnë disa qindra miliona euro, është një aferë e pastër korruptive. Denoncimet në media dhe në prokurori kanë qenë pa fund për raste skandaloze vjedhjeve. Por në asnjë rast, Prokuroria Shqiptare nuk ka marrë mundimin të verifikojë si është zbatuar ligji, kur në fakt shumica e zyrtarëve që kanë firmosur janë për në burg.
Në gjashtë vitet e qeverisjes “Rama” skandalet dhe korrupsioni ka tejkaluar çdo qeverisje tjetër. Por si asnjë rast tjetër, të gjitha këto skandale po mbyllen pa asnjë zyrtar të dënuar.
Ndaj quhet Rilindje! Po punove për të ajo të rilind e të bën të pasur nga krimi.
Mili Xhani