‘Vetingu’ toleroi transaksionet e prokurorit Klodian Braho me kunatin e arrestuar për drogë

E Enjte, 12 September 2019 13:41

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka ‘mbyllur sytë’ para disa transaksioneve që bashkëshortja e prokurorit të Krimeve të Rënda, Klodian Braho, ka kryer me vëllain e saj, E.V, i arrestuar dhe dënuar në Itali për trafik droge.

 

KPK konfirmoi në detyrë subjektin Braho, aktualisht zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, me votat e anëtarëve Valbona Sanxhakari dhe Roland Ilia. Ndërkohë që kryesuesja e trupës gjykuese të Vetingut, Xhensila Pine, ka qenë kundër për shkak të problemeve me kriterin e figurës.

 

Image

Komisionerja Pine ka shpjeguar me detaje se përse ajo është kundër konfirmimit të prokurorit Klodian Braho, në dokumentin ‘mendim pakice’, i cili shoqëron vendimin nr. 191, dt. 26.07.2019.

Prokurori Braho është aktualisht pjesë e 15 kandidatëve të miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Kundërshtimet e Pines

Komisionerja Xhensila Pine është ndalur gjatë në rastin e arrestimit dhe dënimit të kunatit të Klodian Brahos, për të cilin prokurori ka deklaruar në formularët e integritetit se nuk ka pasur dijeni.

Shumica e trupës së KPK-së, ‘bazuar në shpjegimet e subjektit dhe në hetimin e kryer për këtë çështje, krijoi bindjen se subjekti nuk ka pasur kontakte të vazhdueshme me shtetasin E.V. Kjo rrethanë e kontakteve të rralla familjare, se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë në dijeni për arrestimin e kunatit E.V., u mor në konsideratë nga Komisioni si rrethanë lehtësuese në përputhje me pikën 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016’.

Por, për të njëjtat rrethana, kryesuesja e trupës gjykuese, Xhensila Pine, ka mendim tërësisht të kundërt.

Në zyrat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka mbërritur një denoncim publik, sipas të cilit, kunati i subjektit Klodian Braho është arrestuar dhe proceduar për shitje lëndësh narkotike në Itali. 

Në vitin 2011 një nga anëtarët e familjes së tij, konkretisht shtetasi E.V., vëllai i bashkëshortes, i cili përfshihet te ‘krushqia deri në shkallë të dytë’, dhe që konsiderohet anëtar familjeje, rezultoi se ishte arrestuar dhe proceduar penalisht për shitje të lëndëve narkotike në shtetin italian.

Image

Media italiane ka raportuar për arrestimin e shtetasit Ergus Veraj, kunati i prokurorit Klodian Braho, për shitje narkotikësh

‘Sipas parashikimit të pikës 15, të nenit 3, të ligjit nr. 84/2016, shtetasi E.V., konsiderohet person i përfshirë në krimin e organizuar dhe subjekti kishte për pasojë detyrimin ta deklaronte këtë fakt në deklaratën për kontrollin e figurës në pjesën 5 të saj, te rubrika e të dhënave për sigurinë’, argumenton Pine.

Sipas komisioneres, subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, përpara se të plotësonte deklaratën për kontrollin e figurës duhet të bënte të gjitha verifikimet e nevojshme me qëllim plotësimin me vërtetësi dhe saktësi sipas detyrimit kushtetues, të deklaratës për kontrollin e figurës, ndër të tjera edhe pjesës 5, të saj.

Pasi u pyet nga Komisioni në rezultate hetimi, subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, pranoi faktin se z. E.V., është proceduar penalisht në shtetin italian, dhe deklaroi se nuk ishte në dijeni të dënimit që vëllai i bashkëshortes së tij kishte në shtetin italian.

Aplikimi i parashikimeve të germës ‘b’, të pikës 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016, për rrethana lehtësuese do të ishte i mundur vetëm nëse:

1. shkalla e ndikimit apo afërsia e subjektit me kontaktin do të ishte e largët;

2. do të kishte deklarime të vërteta dhe të plota, në lidhje me këtë kontakt.

Ndryshe nga sa ka arsyetuar shumica, ‘kam vlerësuar se subjekti i rivlerësimit nuk gjendet në kushtet e aplikimit të parashikimeve të germës ‘b’, të pikës 5, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016, për rrethana lehtësuese’, shprehet Xhensila Pine,

Ajo argumenton qëndrimin e saj: për sa më poshtë vijon: ‘Afërsia e subjektit me kontaktin e papërshtatshëm, u provua jo vetëm gjatë hetimit administrativ, por edhe shpjegimeve të subjektit, konfirmuar edhe me deklaratën noteriale të sjellë prej tij ku referohen komunikime të bashkëshortes me të vëllanë. Subjekti nuk dha deklarime bindëse e të plota në lidhje me këtë kontakt, për të vërtetuar se marrëdhëniet midis tij dhe shtetasit E.V., janë të largëta dhe të rralla’.

Kjo afërsi,- shprehet komisionerja në pakicë- si dhe shkalla e ndikimit, u konfirmuan edhe nga fakti që për kreditë e marra nga bashkëshortja e tij si bashkëkredimarrëse, këstet mujore paguheshin dhe vijojnë të paguhen, edhe aktualisht ndër të tjera, edhe nga të ardhurat e shtetasit E.V.

Image

‘Pagesa e kësteve për kreditë e marra nga bashkëshortja e subjektit si bashkëkredimarrëse, nga shtetasi E.V., e vendos subjektin e rivlerësimit në parashikimet e pikës 5, germa ‘f’ të shtojcës 3, të ligjit nr. 84/2016, në kushtet e mosdeklarimit të kontaktit me të cilin ka shkëmbyer pasuri një person i lidhur me të sipas ligjit nr/84/2016’, konstaton Komisionerja e Vetingut.

Pasi u pyet nga Komisioni, subjekti nuk përmendi në parashtresën e tij ‘asnjë shpjegim për llojin apo numrin e dënimeve të marra nga kunati i tij në shtetin italian, kohën e arrestimit dhe procedimit penalisht, apo të marrjes së këtyre dënimeve, duke mos qenë i hapur dhe i plotë në deklarimet e tij lidhur me arrestimin e shtetasit E.V., vëllai i bashkëshortes’, vijon Pine.

Ndryshe nga sa ka pretenduar subjekti, komisionerja e pakicës ka vlerësuar se subjekti Klodian Braho, nuk gjendet as në kushtet e aplikimit të parashikimeve të germës ‘d’, të pikës 7, të nenit 38, të ligjit nr. 84/2016, pasi ai nuk ka provuar bindshëm se s’ka qenë në dijeni të faktit se vëllai i bashkëshortes së tij, shtetasi E. V., është i përfshirë në krimin e organizuar.

Siç konstaton komisionerja e pakicës, në shpjegimet e sjella nga subjekti para Komisionit për të ardhurat e dy vëllezërve të bashkëshortes, me të cilat paguhet edhe aktualisht kredia e marrë nga bashkëshortja dhe nga babai i saj, ‘për shtetasin E.V., subjekti i rivlerësimit nuk i paraqiti Komisionit asnjë dokumentacion për punësimin dhe të ardhurat e tij në shtetin italian, ndryshe nga sa për vëllain tjetër të bashkëshortes paraqiti dokumentacion të plotë për të ardhurat në shtetin italian’.

Këtë shmangie të shpjegimeve mbi të ardhurat e shtetasit E.V. në Itali dhe deklarimin vetëm të të ardhurave të tij në Shqipëri, (rezultoi sipas sistemit TIMS se shtetasi E.V., ka qëndruar në Shqipëri për periudha shumë të shkurtra), komisionerja Xhensila Pine e ka vlerësuar si indice e dijenisë së subjektit lidhur me procedimin penal për shtetasin E. V., në shtetin italian.

Duke marrë në konsideratë arsyetimin e mësipërm, komisionerja Pine ka arritur në konkluzionin se ‘subjekti i rivlerësimit ka plotësuar në mënyrë të pasaktë dhe jo me vërtetësi deklaratën për kontrollin e figurës, dhe ngarkohet me përgjegjësinë e mosplotësimit të saktë, pasi nuk ka deklaruar faktin se vëllai i bashkëshortes së tij ka qenë i proceduar penalisht për veprën penale të shitjes së lëndëve narkotike në shtetin italian, as shkembimin e pasurisë me persona të përfshirë në krimin e organizuar’.

Image

Po ashtu, komisionerja e pakicës konstaton se ‘Subjekti i rivlerësimit nuk provon bindshëm se s’ka qenë në dijeni të faktit se vëllai i bashkëshortes së tij, shtetasi E.V., ka qenë i proceduar penalisht në shtetin italian dhe me argumentet e dhënë në drejtim të shfajësimit apo të padijenisë, nuk provoi me motive apo argumente, zhveshjen nga kjo përgjegjësi’.

Në konkluzion të analizës së saj, komisionerja Xhensila Pine ka votuar për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, z. Klodian Braho, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.

Qëndrimi i saj nuk është mbështetur nga dy kolegët e tjerë të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilës, me shumicë votash, kanë vendosur konfirmimin në detyrë të prokurorit Klodian Braho.

Modifikuar më E Enjte, 12 September 2019 13:52
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...