Saga e Saimir Tahirit, për të kuptuar fuqinë e ‘Oktopodit Rilindja’

Premte, 20 September 2019 16:27

Nga Poli Hoxha/

U deshën qindra shkrime e dokumentarë në mediat më prestigjioze ndërkombëtare e vendase; investim direkt i Bundestagut gjerman dhe ambasadës amerikane në Tiranë; dy vite ‘hetim’ nga prokuroria e Krimeve të Rënda dhe 11 orë trupës gjykuese ‘për tu menduar’, që shqiptarët të kuptonin përfundimisht se drejtësia në këtë vend funksionon, vetëm për ata që vendosin pa leje një gardh për të mos u arratisur pulat, apo që nuk paguajnë dot dritat.

Kjo që do të paraqesim më poshtë është (e përmbledhur) saga e ‘kapitenit’ të Rilindjes, Saimir Tahiri, i cili së bashku me ‘shefin e madh’ Edi Rama i bënë një kthjellim dhe një nder të madh atyre që deri më tani kishin dilema, për oktopodin që ka kapluar me këmbët e tij çdo qelizë të këtij vendi; qeverinë, ekonominë, pasuritë, mediat, drejtësinë dhe çdo institucion tjetër. Me luftën e tij duke përdorur çdo gur pushteti e financiar për të shpëtuar Tahirin, në fakt ky Oktopod rikonfirmoi vetveten dhe fuqinë e tij.

Kushdo që shpresonte (shqiptarë e ndërkombëtarë) se rasti i ish-ministrit të Brendshëm më jetë gjatë në tranzicion, drejtuesit operacional të shndërrimit të vendit në ‘Kolumbinë europiane’, krahut të djathtë të Edi Ramës, do të shënjonte edhe ç`thurjen e rrjetës kriminale dhe obligo-financiare që ka kapur këtë vend, tani mund të bëjë një kërkesë në ndërmarrjen e pastrimit në bashkinë e Erion Velisë dhe ai me plot dëshirë, do t`u dërgojë Tahirin që të pastrojë mbeturinat e oborrit të pallatit, a shtëpisë ku jetojnë.

Saimir Tahiri nuk ka ‘gisht’ fare te 4 vite aktivitet kriminal, Vlorë-Itali, me policinë nën urdhra që kryenin kushërinjtë e tij trafikantë Habilaj. Saimir Tahiri ‘nuk di gjë’ se si ndodhi, që mijëra hektarë tokë në vitet 2015-2017 u shndërruan në ferma model, të kultivimit të kanabisit. As se si financoheshin miliona euro për këtë ndërmarrje gjigante, që habiti gjithë botën. Se si farat e kanabisit pasi rriteshin, ujiteshin, thaheshin, magazinoheshin, ngarkoheshin në skafe pasi radarët fikeshin e niseshin qetë-qetë drejt Italisë.

Për ministrin e Brendshëm i cili ndërkohë në vitin 2015 i thoshte shefit të policisë së Dibrës pasi kishte realizuar e tejkaluar objektivat për mbushjen e hambarit të Rilindjes me vota, e i thoshte  ‘mos e rruaj’, nuk gjendet asnjë përgjegjësi, madje po i bihet më qafë dhe Apeli duhet të mendohet mire, për fajësinë apo fajësinë e tij.

Sepse; ja ku jemi. Me një trup gjykuese e cila e ndihmuar me bujari nga prokurorë të hequr e vënë sipas oreksit të Arta Markut e Donika Prelës, ja arritën qëllimit që ‘peshkun e madh’ ta shndërrojnë në një cironkë administrative, e cila kishte `shpërdoruar detyrën`; një gabim njerëzor duke kërkuar ndihmë, për një punë personale nga një polic-teknik skafesh.

Image

Ku e fshehu lepurin e madh prokuroria?!

Këtë na e ka treguar vetë Saimir Tahiri në të paktën dy raste, kur e ka ndjerë rrezikun deri në palcë.

Në pretencën e fundit një javë më parë, të dalë nga grupi i ri i prokurorëve, ‘Tahiri’, të cilët u vendosën gati me dhunë nga shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, (katapultuar aty nga Arta Marku e zgjedhur me arrogancë nga Rama), renditeshin edhe disa përgjime të autoriteteve italiane, ku Moisi Habilaj dhe anëtarë të tjerë dëgjohen të flasin për ish-ministrin. Ata diskutojnë, se sa shpenzon ai për fushatën elektorale për PS-në.

‘Të dy flasin për një person me pushtet me emrin ‘Saimir Tahiri’, njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai?!

Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë, sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu ia kthen duke i thënë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë, në një fushatë elektorale’.

Të gjitha këto janë në dosjen, që trupa gjykuese kishte mbi tavolinë prej kohësh. Në fakt ata me shumë mundësi i kanë kaluar shpejt e shpejt këto përgjime, pasi nuk përputheshin me akuzën e prokurorisë. Objekti i hetimit dhe akuza konkrete nuk kishte të bënte me përdorim të parave të zeza në fushata elektorale, por thjesht sa i implikuar ishte Tahiri me organizatën e kushërinjve të tij, tashmë të dënuar në Itali.

Po përse nuk u hetua pikërisht në këtë pistë nga e cila do të niste njëkohësisht edhe zbardhja e kanabisimit të vendit i cili la prapa edhe dhjetëra kufoma ende pa autorë, apo edhe më shumë të tjerë të zhdukur pa gjurmë?!

Përse nuk u administrua raporti sekret i SHISH, me emra drejtuesish policie në rrethe e qendër, një hartë e detajuar e fermave të hashashit, denoncimet me pamje në media, etj?!

Në fund të fundit organizata e Habilajve ishte vetëm një segment i asaj që po bënte dhe vazhdon i qetë krimi i organizuar në Shqipëri dhe përgjegjës ishte direkt Tahiri, në postin e ministrit të Brendshëm fuqiplotë!

Mbi të gjitha; kush ishte koka e gjithë këtij operacioni që lejoi dhe vuri në shërbim të kultivuesve dhe trafikantëve një shtet të tërë?!

Kush ishin financierët dhe ku kanë përfunduar fitimet e qindra ton drogë, të kaluar me sukses matanë detit?!

Nga buron e gjithë kjo para e zezë, që rrënon euron dhe lulëzon kulla dhe disa kompani që ndërtojnë punë publike duke mos pasur as kantier e as para, për të nisur sipërmarrje që duan qindra-milionë euro?!

Pikërisht ky është thelbi dhe lepuri i madh, që kur sesi nuk duhet të dalë.

Por për të gjitha këto ka një opsion dhe një ‘kritikë’ ndaj prokurorisë së Krimeve të Rënda nga vetë Saimir Tahiri, kur ju desh të jepte një përgjigje dhe një mesazh të koduar, për 20 milion eurot e drogës që duheshin për zgjedhjet:

‘E dinë ata (prokurorët) sa unë shpenzoj për fushatë dhe paskam shpenzuar 20 milion euro... po nëse edhe prokurorët e besojnë këtë, atëherë duhet të kishin hetuar duke filluar nga Edi Rama dhe çdo person tjetër pas për të mësuar se nga vijnë këto para’.

Ky është rasti i parë kur Tahiri tregon, se cilin lepur fshehu prokuroria, me rastin e hetimit të gjymtuar ndaj tij.

Rasti i dytë ishte pak orë përpara vendimit të gjykatës së Krimeve të Rënda për fatin personal dhe pikërisht, brenda në sallën e gjyqit.

Duke folur për implikimin e tij si `shefi i madh` i Habilajve, Tahiri, bëri një loj fjalësh duke lënë për të kuptuar, se shefi i trafikantëve kushërinj, kishte nga ana tjetër një shef të vetin; shefin e të gjithë shefave.

‘Ndodhem këtu si i pandehur se i shita makinën një personi, ndërkohë që njoh plot njerëz e ka plot të tillë që s’mbajnë përgjigje si edhe për vëllezër trafikantë. Ju po më mbani këtu për interesa që vetëm ju mund të mi shpjegoni. Punova si ministër edhe kur me vunë bombat në shtëpi. Rama është shefi im i madh në politike, as unë e as Rama nuk jemi shefa në raport me krimin’, deklaroi Rama përpara trupës gjykuese.

Por treshes gjyqtare ashtu si për çështjen e 20 milion eurove për zgjedhjet, edhe kjo deklaratë u hyri nga njëri vesh, e u doli nga tjetri. Dhe me të drejtë; sepse nuk po gjykonin implikimin e ish-ministrit të Brendshëm në organizatën e madhe që e ktheu vendin në fermë kanabisi dhe bazë ndërkombëtare të drogave të rënda (Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit), por vetëm për një fragment rajonal në Vlorë, siç ishin Habilajt të rënë në rrjetën e anti-mafies së Katanias.

Pra Tahiri vetëm pak orë përpara verdiktit për fatin e tij lëshoi mesazhin, se nëse dënohej si shef i Habilajve, atëherë duhej të dilte edhe ‘shefi i madh’ i atij vetë dhe i gjithë `habilajve`, nga Jugu në Veri të vendit.

Image

Një shembull, se si funksiononte skema

Për të kuptuar se çfarë ndodhi në gjithë vendin me kanabisin (pa llogaritur kokainën dhe heroinën), po ju sjellim të plotë një pjesë nga dosja e antimafies italiane për rastin Habilaj.

Është një pasazh i nxjerrë nga një bisedë mes Moisi Habilajt dhe bashkëpunëtorit të tij italianë Sebastiano Greco, nga i cili kuptohet se si gjithë strukturat e shtetit ishin në dispozicion të këtij projekti kriminal. Lexojeni dhe kujtoni, se gjatë viteve 2015-207 kështu funksiononte në të gjithë Shqipërinë. Dhe për këtë ekzistojnë të fshehur kushedi se ku, dy raporte të hollësishme. Një i prodhuar nga SHISH dhe tjetri, nga shërbimet sekrete gjermane.

‘Nëse bën një ‘punë’ me 1 mijë kilogramë, 600 janë të tijat ndërsa 400 janë miqtë dhe ndere...Ngarkesa të tilla të stërmëdha droge përfshijnë një numër të madh njerëzish. Fillimisht janë kultivuesit, të cilët kanë nevojë për shumë tokë, (për të prodhuar së gjysmë kile kanabis nevojitet së paku 2-4 metra katrorë tokë ndërsa për të prodhuar një ton nevojiten 2-4 dynym). Pastaj nevojiten një ushtri me njerëz që duhet të kujdesen për krasitjen e bimës për ta mbajtur atë të shëndetshme dhe cilësore. Nëse nuk kujdesesh për bimën, marijuana mund të dalë me cilësi të keqe dhe çmimi i saj në treg të ulet në mënyrë dramatike. Kërkohen minimalisht tre muaj që bima të bëhet gati për t’u vjelë dhe puna nuk mjafton këtu, pasi ajo do të duhet të thahet në hije para se të presohet dhe të bëhet gati për rrugë.

Sipërfaqja e konsiderueshme e tokës, bashkë me infrastrukturën vaditëse dhe imputet bujqësore si dhe numri i lartë i punëtorëve që duhen për krasitje e punime të tjera, e bën kultivimin e drogës një punë që vështirë se mund të mbahet e fshehtë nga sytë e fshatarëve, zyrtarëve vendorë apo policisë. Për këtë arsye, si kultivimi ashtu edhe trafikimi kërkojnë bashkëpunimin apo heshtjen e një numri të madh zyrtarësh…’.

Pastaj në të njëjtin fashikull të dosjes shkruhet:

‘Koha e gjatë e kalimit nga vendimi për të përdorur peshkarexhën Fatima deri te udhëtimi i saj për në Shqipëri duket se i mundësoi policisë italiane ta vinte këtë mjet lundrues nën përgjim. Kur Fatima mbërriti në Shqipëri, Moisi Habilaj i priti italianët Giuliano dhe Greco në Porto Palermo. Zbulohet se Habilajt kishin kontroll pothuajse të plotë, të territorit dhe të forcave të rendit në Shqipëri. Sipas bisedave të përgjuara, Moisi Habilaj nuk kishte frikë policinë në tërësi, por vetëm ndonjë element policor i cili mund të gjendej i transferuar rishtazh në Vlorë. Për më tepër, Habilaj duket se ka nën kontroll jo vetëm policinë, por ka njerëz të infiltruar në sistemin e monitorimit të detit me radar. Ai dëgjohet duke i dhënë instruksione italianëve që të dalin nga ngushtica e Korfuzit duke përdorur ujërat territoriale shqiptare para se të kalojnë në det të hapur me qëllimin që të shmangin me çdo kusht qëndrimin në ujërat territoriale greke. Sipas informatorit që Moisi Habilaj thotë se kishte te sistemi i radarëve, peshkarexha kishte gabuar gjatë mbërritjes duke qëndruar në ujërat territoriale greke, aludohet duke rrezikuar në këtë mënyrë që autoritetet greke të vepronin. Ata duhej të largoheshin jo më shumë se sa 2 milje nga bregu dhe të vijonin përgjatë bregdetit shqiptar drejt veriut deri sa të dilnin në Karaburun para se të merrnin kthesën drejt perëndimit për në brigjet italiane. Sa për autoritetet shqiptare, ato nuk gjendeshin asgjëkundi atë ditë të majit 2015...’.

Pra nuk bëhet fjalë thjesht për një grup trafikantësh, por për diçka të madhe e të organizuar që nis që nga tokat e vëna në dispozicion, sistem ujitjesh, qindra punëtorë kultivues, infrastrukturë në makina e skafe, zyrtarë të shtetit e të policisë që bashkëpunojnë, kontroll të radarëve etj, etj.

Image

Pak histori; si nisi dhe si u shkatërrua hetimi

Emri i Saimir Tahirit për lidhje me grupin e ‘Habiljave’ u dekonspirua për herë të parë nga oficeri i krimeve, Dritan Zagani, i cili pasi nuk çau dot te eprorët dhe në prokurori, u detyrua ti bëjë publike hetimet në media, pak përpara se të arratisej për ti shpëtuar qelisë që i kishte bërë gati Tahiri.

‘…Subjekti që më interesonte u fut te ky ‘Audi’ i zi me targë AA 003 GB! Të nesërmen sapo u futa në zyrë, nuk më mbante kurioziteti për një ditë më parë dhe u futa në sistemin e targave për të verifikuar këtë targë që shënova në Vlorë. Sa e hap, më del që pronar i mjeti ishte një emër Saimir Bashkim Tahiri! Mu duk si emër i njohur. Ishte dhe emri ministrit ashtu, por prapë nuk isha i bindur dhe u futa në TIMS dhe verifikova emrin e mësipërm, si dhe hyrje-dalje të kësaj makine! Mbeta një moment si i hutuar sepse në monitor më doli pikërisht fytyra e personit që tashmë ishte ministri im! Qesha si pa kuptuar dhe i thirra shefin tim! Shefi vjen dhe i them: ‘Shiko ça më del këtu’. Ai shikon fytyrën e ministrit dhe më thotë: ‘Po, është ministri jonë pse pyet?’ Kështu i shpjegova se si arrita deri sa më doli fytyra e ministrit në sistem. Ai me të qeshur ma kthen: ‘Je i vonuar, ka kohë që e din mbarë policia si s’e ditke ti?!’, rrëfente Zagani atëherë.

Por në atë kohë vetë Tahiri u kujdes për burgosjen e Zaganit, kurse ‘shefi i madh’ Edi Rama fillimisht i quajti këto investigime ‘baltë kazani kundër qeverisë’ dhe më vonë në vitin 2016 e sulmoi personalisht oficerin në një sallë të mbushur me mijëra policë, edhe në sy të ambasadorit Lu.

Por në 16 tetor 2017, ndërkohë që Tahiri këmbëngulte se nuk ishte takuar kurrë me Habilajt, plasi bomba nga matanë detit.

Prokuroria italiane njoftoi arrestimin e 7 personave pjesë e një rrjeti narko-trafikantësh shqiptarë të cilët mbaheshin nën përgjim prej vitesh. Kreu i tyre ishte Moisi Habilaj, poseduesi i Audit të ministrit të Brendshëm dhe kushëri i tij.

Vetëm një ditë më pas, Partia Demokratike, publikoi dosjen e plotë ku mes 413 faqeve me përgjime dhe hetime ku përmendej edhe emri i Tahirit.

‘Të dy flasin për një person me pushtet me emrin ‘Saimir Tahiri’ (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale’, citoheshin pasazhe nga dosja e përgatitur prej antimafies italiane.

Image

Dosja e hetuesve italianë

Pas kësaj, më 18 tetor 2017, prokuroria e Krimeve të Rënda u vu menjëherë në lëvizje. Që atë ditë i nisi një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, ku pikë e parë ishte lejimi për arrestimin e Saimir Tahirit. Por mazhoranca e morri shtruar-shtruar dhe nuk e thirri në Këshillin, për Mandatet Imunitetin dhe Rregulloren. Nga ana tjetër presioni nga publiku dhe opozita arriti kulmin. Kjo bëri që, më 19 tetor 2017, i vënë përpara fakteve të rënda të dosjes italiane, Edi Rama i bëri ‘shitjen’ e parë `kapitenit` të tij:

‘Drejtësi për të gjithë dhe drejtësi mbi këdo. Uroj që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh. Por këtë dua ta mësoj nga drita e së vërtetës dhe këtë dritë s’e kam as unë, as qeveria, as partia. E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund’, shkrunate kryeministri në rrjetet sociale.

Në këtë situatë Tahiri u shfaq i mbaruar në emisionin ‘Opinion’ të Blendi Fevziu, ku me lotë në sy pranoi, se `do të shkonte në burg, por…’. Duke u dridhur i tëri dhe me sy të lëngëzuar nga frika, ai arriti deri atu sa i përgjërohej Lorenc Vangjelit, i cili përpiqej që ta ngushëllonte:

 ‘Lorenc, unë po arrestohem, unë po shkoj në burg. Kuvendi është thirrur të votojë, nëse unë do shkoj në burg apo jo’

Më 20 tetor 2017, të detyruar edhe nga presioni ndërkombëtarë, socialistët mblodhën Këshilli për Mandatet, Imunitetin dhe Rregulloren. Pas qarjes në ‘Opinion’, atë mëngjes Tahiri ishte shndërruar në `tigër` dhe duket se kishte vendosur, që të mos e linte fatin e vetë në mëshirën e Ramës dhe deputetëve të tij. Përpara mbledhjes ai kërcënoi hapur nga oborri i shtëpisë së tij ku kishte thirrur mediat: ‘Nuk keni parë asgjë akoma’.

E bëri duke përdorur një shprehjen kërcënuese të vetë Ramës ndaj kundërshtarëve të tij politik. Njëkohësisht i kishte kthyer edhe selam, pas një takimi konfliktual kokë-më kokë një natë më parë, në fund të të cilit Rama i kishte thënë; ` nuk kam çfarë të të bëjë nëse ato që kanë dalë nga italianët, rezultojnë të vërteta`.

Pasi u mor mesazhi se Tahiri ishte i gatshem të hapte barkun dhe dosjet që kishte duke përfshitë `Xibrakën`, Rama, nisi urgjent operacionin për shpëtimin e tij ose të paktën siç do ta shohm më vonë, për devijimin e dosjes voluminoze.

Këshillin i Mandateve, ndërkohë bënte ‘cic-mice’ me procedurat për heqjen e imunitetit dhe hapjen e rrugës për arrestim. Nga na tjetër vetë kreu i prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmata, këmbëngulte se:

‘Ne kemi krijuar bindjen e plotë që deputeti Saimir Tahiri është i përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ne sot nuk kemi ardhur për të marrë një mandate arresti, pasi arrestin e jep gjykata. Ne kërkojmë heqjen e imunitetit, që në çdo moment deputeti të jetë i ekspozuar ndaj një heqje lirie. Na rezulton që ka biseda komprometuese në lidhje me deputetin Saimir Tahiri, qoftë në pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal. Aty bëhej fjalë për dhënie dhe marrje’.

Por deputetët socialist të mandateve bënin sikur nuk dëgjonin dhe kërkuan shtyrjen e vendimit edhe 3 ditë, sepse u duhej kohë `për të shqyrtuar provat`.

Pas kësaj Rama shkruan për herë të dytë në FB për Tahirin, por këtë herë shfaqet i tërhequr nga ‘shitja’, që i kishte bërë 2 ditë më parë.

‘Deri këtu muhabet pazari nga 72 orë çorbë në kazanët e krimit, politikës, medias! Të presim me vullnet të plotë për drejtësi PROVAT #Derinëfund’, shfaqet ai i zbythur papritur.

Meqenëse tashmë Gramoz Ruçi ishte i qartë për strategjinë e re, refuzoi shtyrjen që kërkuan deputetët e tij për të marrë vendimin dhe vendosi që Komisioni të mblidhej një ditë më vonë, edhe pse ishte ditë e shtunë.

Më 21 tetor 2017 u kuptua qartë se, Edi Rama, kishte vendosur që të mos e lëshonte Saimir Tahirin pas kërcënimit shqeto që mori veçanërisht për implikim të familjarëve të cilët ju zunë në gojë edhe ditën e gjyqit, pak orë përpara vendimit.

Pas një mbledhjeje me debate `procedurale` që zgjati 8 orë, 5 anëtaret e PS në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit refuzuan kërkesën e prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, duke pranuar vetëm kërkesën për kontrollin e shtëpisë së tij. Kishte ngelur vetëm formaliteti i votimit, në seancën e radhës.

Këtu u thye dhe u devijua gjithçka. Nëse Tahiri do të ishte arrestuar që në atë kohë, ai nuk do të pyetej vetëm për lidhjet me Habilajt, por edhe për rolin e tij dhe të vartëseve në kanabismin e vendit. Do të ishin sekuestruar urdhra, emërime shkarkime, letrat e SHISH e të shërbimeve partnere.

Në vijim të këtij operacioni shkatërrues, do të ishte edhe sabotimi i Komisionit Hetimor që u ngrit me kërkesën e opozitës, i cili synonte pikërisht trajtimin e rastit Tahiri, jo thjesht si një implikim me Habilajt, por si figurë kryesore në kohën e kanabisimit. Por institucionet e shtetit dhe veçanërisht ministria e Brendshme dhe drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në shkelje flagrante të ligjit refuzuan që të bashkëpunonin me deputetët dhe të vinin në dispozicion dokumentacionin e kërkuar. Kjo ishte edhe pika e fundit që derdhi gotën plotë dhe që e detyroi opozitën, që të dorëzojë fare mandatet.

Po kjo mbrojtje e hapur që i dha partia dhe qeveria Tahirit (një të implikuari në çështje kriminale sipas përgjimeve italiane) bëri që kancelaritë e huaja kryesore dhe mediat ndërkombëtare, të kërcisnin fortë. Në atë kohë u raportua, se Rama morri telefonata të rëndësishme për këtë çështje veçanërisht nga Berlini, por edhe Uashingtoni.

Prandaj në 23 tetor 2017 (përpara votimit), ai u detyrua që të `sulmonte` sërish Tahirin, madje edhe duke e quajtur `vemje` e `dru i shtrembër`.

‘S’besoj se ka nevojë të them këtu, pse do të ishte zhgënjimi më i rëndë në kujtesën time dhe mësimi më i hidhur i jetës sime në shërbimin publik, nëse do të zbuloja në fund të kësaj historie se Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh, që e kanë besuar e mbështetur me gjithsej, pas meje, kaq shumë njerëz, po një vemje, e cila e turpëron fjalën njeri!’, lau duar Rama.

Por paralelisht me këtë, ai intimidoi dhe sulmoi ashpër, edhe prokurorët që kishin kërkuar arrestimin.

‘Ku u gjet ky zell i panjohur, i një Prokurorie Krimesh të Rënda që s’ka lëvizur gishtin qëkur ka lindur, jo për ndonjë nga mijëra akuzat e ngritura sheshit nga njerëz publikë, jo përgjime nga llumi i krimit, po as për ca fakte e për ca prova që dihen e shihen ashiqare, si të dyshimta e shumë të dyshimta madje, për të përdorur terma juridikë, në pasqyrën e viteve të jetës së asaj Prokurorie?’, tregoi skenarin që kishte në kokë ai, duke synuar që të lidhte opzitën me organin e akuzës.

Ajo që pasoi më pas tashmë dihet. Tahiri vazhdoi edhe 6 muaj si deputet ndërkohë që Rama morri krejtësisht në dorë prokurorinë; dosja u sakatua duke demotivuar prokurorët e çështjes me presione, transferime, vetting etj.

Do të vinte koha e hapjes së negociatave që Rama të detyrohej pas një takimi me kancelaren Merkel në Berlin, që ai të bënte sikur po e lëshonte `kapitenin` e tij në duart e drejtësisë.

Nga Bundestagun gjerman Ramës ju tha shqeto, se qeveria dhe partia e tij kishin marrë nën mbrojtje dhe kishin penguar prokurorinë për arrestimin e një ministër të akuzuar për lidhje me krimin.

Dhe korrupsionin. Tahiri mëson se pas kësaj, Rama, do ta `shiste` prapë ndaj kap foltoren e parlamentit dhe e kërcënon hapur dhe sërish duke përdorur një batutë të njohur të vetë atij: ‘Nuk ka bir nëne dhe bir kurve, të më ndalojë mua…’.

Por Rama e qetëson sërish nëpërmjet emisarëve të vetë duke i dhënë garanci, se nuk do të bëjë asnjë ditë në qeli dhe e bind që të dorëzojë ‘vullnetarisht’ mandatin e deputetit, sa për tu hedhur hi syve ndërkombëtarëve në prag të vendimit për hapjen e negociatave.

Historia e Tahirit në pushtet u mbyll me një fjalim patetik, por ndërkohë ai nën rrogoz së bashku me Ramën vazhduan që të marrin masat, për sabotimin e hetimit. Kujtojmë deklaratën e ambasadorit Lu, se po jepeshin shuma të mëdha parash për të prishur këtë çështje; ekstradimin natën dhe në mënyrë të jashtëligjshme të financierit të Habilajve; emërimin e Donika Prelës në vend të Hajdaramatës te Krimet e Rënda dhe shkatërrimin e grupit që nisi hetimin dhe kërkoj arrestimin, etj, etj.

Nëse gjatë vitit të kaluar Rama bëri lojën me ndërkombëtarët duke e larguar nga Tahirin si deputet, me synim që të kapte hapjen e negociatave, këtë vit loja ishte që të `dënojë një ministër` duke e lënë vërdallë nëpër Tiranë.

Kaq budallenj i di, apo shpreson ende te zhaket me euro dhe dollar, që i kanë funksionuar tek-tuk deri tani?!

Ashtu siç u deklarua edhe nga ambasada amerikane në Tiranë, dënimi i një ish ministri është hap përpara, por nga ana tjetër edhe shkurajues, duke pasur parasysh se çfarë përfaqëson Tahiri dhe akuza e vërtetë ndaj tij.

Të gjithë e dinë se bëhet fjalë për diçka më të madhe se shpërdorimi i detyrës dhe marrëdhëniet me Habilajt: Oktopodin Rilindje që ka kokë, vetë `shefin e madh` Edi Ramën!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...