Opozita e bashkuar ka marre sot vendim se do të përfaqësohet në nivel teknik në konferencën për reformën zgjedhore, të thirrur nesër nga OSBE.
Në një dalje për mediat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se opozita nuk ka qenë kurrë pengesë për zgjidhjen e krizës, dhe se për këtë përgjegjës ka qenë kryeministri Edi Rama.
Kryemadhi u shpreh se do të marrin pjesë në tryezën e bashkuar ditën e nesërme, dhe se njëkohësisht opozita e bashkuar po punon për përgatitjen e një pakete “antikrizë”.
“Kemi vendosur që të përfaqësohemi me ekspertë, dhe do të mbajmë qëndrimin tonë në këtë tryezë. Sa i përket krizës, problemi ka qenë kryeministri për zgjidhjen e saj, opozita ka qenë për institucionalizimin e dialogut, kemi qenë të gatshëm edhe për të dhënë votat për reformën në drejtësi.
Opozita ka qenë gjithnjë e gatshme, jo për të zgjidhur krizën personale, por për të ecur para dhe për të hapur me urgjencë negociatat me BE, dhe ne po vazhdojmë punën me të gjithë aleatët për përgatitjen e paketës antikrizë.
Është paketë për t’u dhënë shqiptarëve më shumë mundësi”, u shpreh Kryemadhi.