Ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, Lorant Balla ka pohuar të martën se ashtu si është diskutuar prej disa ditëve në media, Brukseli po mendon vendosjen e disa kushteve përpara hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Ambasadori i Hungarisë, vendi i të cilit do të marrë Portofolin e Zgjerimit në BE, duke pasur kështu një rol kyç për integrimit europian të Shqipërisë, deklaroi se Budapesti ishte kundër çeljes së negociatave me kushte për Shqipërinë.
Duke folur në kuadër të nisjes së Javën Hungareze, për të cilën ambabasa e këtij vendi po organizon aktivitete të njëpasnjëshme, ambasadori shprehu edhe njëherë mbështetjen e Budapestit për integrimin e rajonit dhe vendit tonë.
Me një shqipe të pastër, ambasadori Balla tha se Hungaria kërkon që negociatat të hapen në tetor pa kushte si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Ai u shpreh: “Dua të përsëris se në jemi për çeljen e negociatave pa kushte. Vendet e tjera mund të kërkojnë të tjera gjëra, por ne kemi kërkuar gjithmonë fillimin e negociatave. …Megjithatë për hapjen e negociatave, mund të kërkohen gjëra që tani nuk funksionojnë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, pastaj edhe jeta parlamentare të rikthehet në vazhdën normale, edhe zgjedhjet të përmirësohen sipas kërkesave të OSBE-së”.