Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka argumentuar para mediave se pse opozita shqiptare e kërkon, insiston dhe e mirëpret hapjen e negociatave për Shqipërinë, në një kohë kur ndodhet në një pozitë absurde, sepse vendi po keq qeveriset dhe është në kolaps të gjithanshëm. “Ne e kërkonim hapjen e negociatave, - theksoi Basha, - si një instrument shtesë për kontrollin e një qeverie që dhunon të drejtat e qytetarëve, që e ka zhytur vendin në një kolaps, duke argumentuar se me presion evropian ne mund të sprapsim këtë autokraci.
Por ajo që dëgjonim nga ana tjetër ishte shkurajuese: Pse duhet t’i hapim negociatat një vendi që nuk respekton kriteret minimale të Kopenhagës?! Një vendi ku dy ministra kapen në flagrancë në shkelje të ligjit, si me Xhafajn dhe Tahirin dhe drejtësia merr vendime të influencuara politikisht?!
Si mund t’i hapim megociatat kur në vend që dosja e përgjimeve të hetohej, u dërgua në Dibër për t’u asgjesuar si çështje penale, me qëllim mbrojtjen e peshkut të madh, vetë Kryeministrit?!
Si mund të hapim negociatat kur në vend që të nisë lufta kundër korrupsionit, korrupsioni sanksionohet me ligj si në rastin e PPP-ve që janë vjedhje me ligj?!
Si mund të hapim negociatat e një vendi që pretendon se lufton kanabisin, por është bërë bazë e trafikut të drogave të forta?! Kur kemi rastin e Toyota Yaris, kr janë përfshirë politikanë të lartë dhe raste të tjera kur janë arrestuar dhe dënuar shoferë dhe persona të parëndësishëm, jo bosë të drogës dhe krimit të organizuar?!
Është e vështirë për këdo, veçanërisht për opozitës që të kërkojë hapjen e negociatave në këto pozita. Por ka qenë insistimi i opozitës për t’i hapur dhe imi personalisht, se si mund të ndihmojmë më mirë: duke bërë hapa prapa apo duke pasur një udhërrëfyes për çdo fushë?!
Ka triumfuar mbrëmë kjo përqasje: kushte të ashpra të forta, por dritë në fund të tunelit.
Vendimi për hapjen e negociatave është një alternativë shumë më e mirë se sa një jo, për mos hapjen e tyre. Dhe kjo sjell edhe përgjegjësitë.”