Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një bisedë të hapur me gazetarët, ndërsa përshëndeti vendimin e Gjermanisë për “Po-në” e negociatave me Shqipërinë. Kryemadhi theksoi se opozita është e gatshme të marrë pjesë në çdo tryezë, e cila ka si temë kryesore dhe qëllim parësor zgjidhjen e ngërçit.
“Shoqëria civile nuk duhet të jetë nën çadrën e qeverisë. Fqinjësi e mirë dhe bashkëpunim rajonal. Për herë të parë Shqipërisë i vendoset një kusht i tillë. Politika e jashtme shqiptare më 30 vite ka qenë një ndër pikat e pacenueshme, por sot për herë të parë po cenohet. Kjo është shumë e rënda. Kjo është shumë e rëndësishme për të mbajtur një lloj stabilitetit me aleatët. Kjo rezolutë është prej dhjetë faqesh dhe është e rëndësishme. Bundestagu gjerman artikulon më mirë se ne politikisht”-pohoi Kryemadhi.
Gjithashtu Monika Kryemadhi u ndal edhe tek tryeza për reformën zgjedhore, ku opozita mori pjesë dhe më pas u largua nga konferenca e thirrur nga OSBE-ja. Sipas saj, opozita ka qenë dhe është e hapur për dialog institucional. Kryemadhi kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave i konsideroi si “të rënda”
“Prezenca jonë atje ka qenë për të dhënë një sinjal se procesi i hapjes së negociatave është me interes. Prezenca e tyre ishte për të treguar se opozita është e gatshme për çdo tryezë, e cila synon të zgjidhë krizën. Opozita është për dialog institucional. Sigurisht opozita përgatitet për çdo situatë politike ku mund të gjendemi. Shqiptarët sot kanë hall nëse kanë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre. Shqiptarët jetojnë sot në një shantazh politik, ndërsa ajo që është më e rënda është mungesa e shpresës. Ne mund të themi se kemi menduar se është më i rëndësishëm procesi i integrimit për Shqipërisë, pasi kjo është një mundësi shumë e madhe për qytetarët. Hapja e negociatave është më e rëndësishme se protestat. Kushtet e Bundestagut janë shumë të rënda, që për hir të së vërtetës, ku ne shpresojmë të hapen dhe rezoluta e parlamentit gjerman ishte një mënyrë për t’iu thënë shqiptarëve se ju e meritoni BE, por jo politika shqiptare ”-shtoi ajo.