Qytetarët anembanë Kosovës do t`i drejtohen sot kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,937,869, ndërkaq numri i Qendrave të Votimit është 895 si dhe janë 2 mijë e 547 Vendvotime.
Kurse, numri i personave që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e sotme është 111 mijë e 733 votues. Gjithsej 25 subjekte politike janë në garë për të siguruar ulëse në përbërjen e shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha subjekteve politike, në garë për ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë, njofton Klan Kosova.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, 20 nga të cilat janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe.
Numri i vëzhguesve të akredituar për këto zgjedhje është mbi 34 mijë. Votimet e sotme pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit për shkak të ftesës për intervistim që i erdhi nga Gjykata Speciale më 19 korrik.