Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH të Lutfi Dervishit foli mbi sfidat e Albin Kurtit pas fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit. Ai tha se dy fituesit Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmani e LDK-së janë përfaqësues të gjenaratës së re, të paprovuar asnjëherë në pushtet dhe sot janë përballë sfidave dhe përgjegjësive historike.
“Sot do të jenë përballë sfidave dhe një përgjegjësie historike, qoftë përsa i përket procesit të shtet konsolidimit demokratik dhe partneritetit të Kosovës në rajon dhe më gjerë, me botën demokratike, por edhe më specifikisht në raport me procesin e bisedimeve me Serbinë”, tha ish ministri.
Ai vlerësoi fitoren e tyre pa oligarkë dhe qasjen që patën ndaj medias. “Është raporti me ekonominë, në rast se e shohim të dy kandidatët qoftë Albini qoftë Vjosa, nuk mund të thuhet për asnjërin që në të shkuarën të tyre të kenë pasur lidhje apo marrëdhënie okulte me të ashtuquajturën oligarki financiare në Kosovë. Raporti i tyre shumë i ndryshëm me mediat, nga raporti që përgjithësisht ne politikanët në Shqipëri kemi me mediat. Mënyra si u pasqyrua fushata dhe një lloj kordoni sanitar që përcaktuan kandidatët dhe partitë politike për ekrane dhe studio të caktuara të cilat konsideroheshin si studio në duart apo instrument të qarqeve të caktuara politike apo ekonomike. Mendoj që këto lloj elementesh ne gjithashtu duhet ti kemi parasysh në administrimin e të gjithë jetës politike në Shqipëri”, u shpreh Bushati.
Për Bushatin, qeveria e re duhet të garantojë qasje të ndershme në raport me detyrimet që ka në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, së pari duhen marrë në shqyrtim të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar dhe të përcaktohen parimet udhëheqëse që do të çojnë ekipin përfaqësues të Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë. “Një marrëveshje finale që do të sigurontë njohjen e ndërsjellë dhe do të na jepte një marrëveshje e cila do të ishte mbi të gjitha e zbatueshme. Në rast se do të shohim të gjitha deklarimet zyrtare të Uashingtonit, sekretarit amerikan të Shtetit, Pompeo, një ndër fjalët kyçetë deklarimeve të SHBA ka të bëjë pikërisht me zbatueshmërinë e marrëveshjes finale që do të thotë që duhet ndërtuar një proces sa më i gjerë politik e shoqëror që kjo marrëveshje nesër pasnesër të jetë e absorbueshme…”, tha mes të tjerash Bushati.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës pas fitores së Albin Kurtit, ish ministri i Jashtëm thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’u konsoliduar më tej marrëdhëniet dhe kjo në radhë të parë në fushën ekonomike. “Është fakt i pakundërshtueshëm që pavarësisht progresit që ne kemi bërë që nga nënshkrimi i deklaratës së partneritetit strategjik në janar në Prizren, të 2014-tës, ne ende nuk kemi arritur dot, Shqipëria dhe Kosova për të pasur një hapësirë të përbashkët ekonomike, ku pavarësisht në rast se je sipërmarrës në Prizren, Gjakovë, Shkodër apo në Vlorë je pak a shumë në treg përballë të njëjtave rregulla”, tha ai.
Bushati shprehu besimin se qeveria e re në Kosovë do të përpiqet të ndërtojë një partneritet të fortë me SHBA, me vende kyçe në BE, si dhe do të ndërtojë një aleancë jo vetëm me Shqipërinë, po mbarë botën shqiptare.