Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë, denoncoi sot nga selia e PD-së, mungesën e plotë të reagimit, me qëllim, nga ana e Prokurorisë, për të hetuar krimin zgjedhor.
“Kriminelët e Ramës vazhdojnë të drejtojnë bashkitë prej mosveprimit të Prokurorisë, - tha Alibeaj. - PD ka tre muaj që ka referuar në Prokurori, rastet flagrante të shkeljes së ligjit dhe manipulimin e votave më 30 Qershor dhe deri tani nuk ka asnjë person të hetuar, as të arrestuar. Nën kontrollin e Edi Ramës, po veprohet kundër vullnetit të Bashkimit Europian, për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë."
Me kontrollin e plotë mbi prokurorinë Edi Rama ka stopuar verifikimin e kriminelëve të tij në të paktën 3 bashki të vendit, për të cilët Partia Demokratike ka sjellë dokumenta të pakundërshtueshëm. Megjithëse kanë kaluar disa javë nga denoncimi i tyre, kriminelët e Ramës vazhdojnë të drejtojnë bashkitë, vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë për shkak të mosveprimit të prokurorisë.
Prej më shumë se 3 muajsh, Partia Demokratike ka referuar në prokurori krimin shtetëror të 30 Qershorit, rastet flagrante të blerjes së votave, presionit mbi administratën, shkeljen flagrante të ligjit nga komisionerët e të gjitha niveleve, manipulimin e votave në 30 Qershor, por organi i prokurorisë nuk ka bërë asnjë veprim.
Deri tani:
Nuk ka asnjë procedim penal të regjistruar.
Nuk ka asnjë person të hetuar.
Nuk ka asnjë person të arrestuar.
Nën kontrollin e Edi Ramës po veprohet kundër vullnetit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Hetimi i krimeve elektorale është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por prokuroria hesht. Hajdutët e votave janë të paprekshëm. Ata nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.
Duke mos regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal që lidhet me zgjedhjet, Prokuroria ka zhvlerësuar edhe ODIHR-in, i cili thekson se ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit.
Mosveprimi i prokurorisë për të ndëshkuar krimet zgjedhore që mbajnë në pushtet Edi Ramën, është treguesi më i qartë i mungesës së vullnetit politik të kryeministrit për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
Edi Rama është pengesa e vetme që Shqipëria nuk bën dot zgjedhje si në Kosovë apo në vende të tjera, ku demokracia funksionon vërtet. Mungesa e vullnetit politik të kryeministrit për zgjedhje të lira e të ndershme ka bllokuar zbatimin e planit me 5 pika të opozitës së Bashkuar për realizimin e një reforme të vërtetë elektorale, një plan që është pikënisje për zgjidhjen e krizës së rëndë të vendit."