Akademia e Shkencave, letër për Nobelin në Letërsi: Fituesi i papranueshëm, akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore

Premte, 11 October 2019 11:52

Akademia e Shkencave te Shqiperise i eshte drejtuar me nje leter Akademisë Suedeze ne Stokholm për Çmimin Nobel në Letërsi 2019, ku shpreh zhgenimin e thelle dhe papajtueshmerine per fituesin e ketij viti.   “Laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në Botë, na detyron të largohemi nga mirësjellja formale dhe të shprehemi me këtë kontestim publik, që u bashkohet shumë kontestimeve të tjera”- thuhet ne leter.

Ne te, theksohet me tej se “Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të duksme të kodit të etikës”.

LETRA E PLOTE

Drejtuar: Akademisë Suedeze, Stokholm

Në dijeni: Jurisë për ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u njoh me shqetësim e zhgënjim të thellë me vendimin e jurisë së çmimit Nobel në letërsi, i cili për këtë vit iu rezervua shkrimtarit Peter Handke.

Duke qenë prej shumë vitesh propozuese ngulmuese e kandidaturës së shkrimtarit shqiptar me reputacion të gjithëvlerësuar botëror Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u është shmangur, edhe pse me mundim, interpretimeve të kësaj jurie, duke mos dashur të gjykohet si palë e cenuar

Por laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Europë e në Botë, na detyron të largohemi nga mirësjellja formale dhe të shprehemi me këtë kontestim publik, që u bashkohet shumë kontestimeve të tjera.

Kjo sepse Akademia motër Suedeze e Shkencave, në raste të mëparshme të vendimeve të diskutueshme të jurive të saj, me të drejtë ka lënë të kuptohet se është në parimet e saj që Nobeli i letërsisë është çmim talenti dhe qytetarie. Dhënia e një çmimi të tillë mund të arsyetohet me faktin se ai i referohet vetëm kontributit të shkrimtarit në letërsinë botërore, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm edhe për peshën politike që mbart çmimi Nobel.

Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të duksme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin.

Ne nuk gjykojmë vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm.

Ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Pyetja jonë është: A mund të besohet më kjo “parimësi”?

Prej kohësh janë paraqitur dyshime për moralin e Nobelit në Letërsi.

Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës.

Siç ka ndodhur që talente të jashtëzakonshëm në letërsi të rezultojnë, shumë kohë pas shpalljes fitues, që kanë pasur implikime okulte në jetën shoqërore.

Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht.

Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...