Deputeti Ditmir Bushati duket se vendosi të luajë rolin e opozitës duke propozuar heqjen nga rezoluta të disa paragrafëve problematikë si dhe duke ndryshuar paragrafë të tjerë për të theksuar rëndësinë e lirisë së medias.
Nga Gjergj Erebara (BIRN)
Një projektrezolutë e propozuar nga kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e cila pretendon se është frymëzuar nga një rezolutë e ngjashme nga Parlamenti Europian, por që mbart disa keqpërkthime të dukshme si dhe disa shtesa për konsum të brendshëm politik, u kritikua të mërkurën nga ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili propozoi disa ndryshime thelbësore në tekst si dhe kërkoi heqjen prej saj të disa paragrafëve që bënin thirrje për ndërhyrje ligjore kundër medias online.
Projektrezoluta e Ballës [link] kërkon mes të tjerash “miratimit sa me shpejt te masave te nevojshme legjislative dhe administrative për të parandaluar dhe luftuar dezinformimin” apo “ndërhyrje nga platformat e mediave sociale me qëllim të etiketimit sistematik të përmbajtjes.”
Balla thotë në relacionin e projektrezolutës se është frymëzuar nga një rezolutë e ngjashme e miratuar nga Parlamenti Europian në fillim të tetorit, [Link] por duket se mes dy teksteve ka disa ndryshime thelbësore, sepse në variantin shqiptar ka disa shtesa që në atë të PE-së nuk ekzistojnë ndërsa së paku një paragraf në tekstin e PE-së që thekson nevojën për të mbrojtur lirinë e medias, në projektrezolutën e socialistit nga Librazhdi mungon.
Kështu, në pikën 12, rezoluta e Ballës flet për “ndërhyrje nga platformat e mediave sociale me qëllim të etiketimit sistematik të përmbajtjes”, ndërsa pika 28 e rezolutës së PE-së nuk flet për “etiketim të përmbajtjes” por për “etiketim të postimeve të ndara nga bots”. Aktualisht në shqip nuk ka një fjalë për bots, por koncepti i përdorur në rezolutën e PE-së ka të bëjë me shqetësimin e krijuar nga sisteme kompjuterike të cilat përdoren për të shpërndarë në mënyrë automatike në rrjetet e ndryshme sociale mesazhe që duket sikur janë postime individësh pavarësisht se janë postime robotësh. Pika 28 e rezolutës së PE-së ka edhe një togfjalësh që rezoluta shqiptare duket se ka harruar ta përkthejë. PE thotë se ndërhyrje të tilla mund të bëhen “pa kompromentuar lirinë e shprehjes”.
Përveç këtij keqpërkthimi, rezoluta e Ballës mbart edhe disa paragrafë, të cilët nuk gjenden në rezolutën e PE-së. I tillë është paragrafi i dytë ku shkruhet: “[Kuvendi] vlerëson nevojën e miratimit sa më shpejt të masave të nevojshme legjislative dhe administrative për të parandaluar dhe luftuar dezinformimin.”
Nevoja për nisma ligjore përmendet së paku tre herë në rezolutën e Ballës, e cila duket se shpreson të justifikojë në këtë mënyrë nismat e shumëkritikuara të qeverisë për “disiplinimin” e medias online, ndërkohë që Bashkimi Europian thekson “vetë-rregullimin e medias” si mjeti i vetëm i pranueshëm për të luftuar dizinformimin.
Projektrezoluta e Ballës u përball me kritika nga ana e ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili propozoi disa ndryshime thelbësore në tekst, si dhe heqjen prej saj të paragrafëve që bëjnë thirrje për “masa legjislative” kundër ndërhyrjes. Propozimet e Bushatit duket se synojnë gjithashtu të theksojnë rëndësinë që Kuvendi i jep lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, ndërsa shton nevojën që përmes “ndërveprimit” të institucioneve shqiptare me platformat e medias sociale të sigurohet transparencë mbi reklamat politike të shpërndara në këto media.
Bushati kërkon gjithashtu që çdo nismë ligjore për “median elektronike” të mbështetet në parimin e “vetë-rregullimit”.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama propozoi në korrik disa ndryshime kontroverse në ligjin e medias audiovizive si dhe në ligjin e komunikimeve elektronike, të cilat parashikojnë mbikëqyrje dhe gjobitje të medias online për një gamë të gjerë shkeljes të supozuara, të tilla si “cënim i dinjitetit” të një personi.
Institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Europian dhe OSBE-në e kritikuan nismën ndërsa organizatat kryesore të lirisë së medias në Shqipëri dhe organizatat ndërkombëtare i kërkuan qeverisë tërheqjen e menjëhershme të projektligjeve të propozuara duke i konsideruar ato anti-demokratike.
Qeveria nuk ka mundur të shtyjë përpara në procedurën e miratimit parlamentar këto ligje ndërsa një deputete socialiste, Milva Ekonomi, deklaroi javën e kaluar se kuvendi ka drafte të reja të të ashtuquajturës “paketë antishpifje”. Draftet e reja aktualisht mbahen sekret shtetëror bashkë me procesin e hartimit të tyre.
BIRN