Të bëhemi bllok kombëtar kundër qeverisë/ Thirrja e fortë e Vasilit: Korrupsioni, 3 herë më i lartë se vendet e Rajonit

Premte, 08 November 2019 12:39

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili se raporti i fundit i Bankës Botërore konfirmoi nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri, i cili është 3 herë më i lartë se vendet e rajonit

Deklarata për mediat e Vasilit

Të nderuar qytetarë dhe qytetare! Vetëm para pak çastesh, Ministrja e Financave dhe e gjithë tufa e rilindasve të mbledhur së bashku prezantuan projekt buxhetin e vitit 2020. Dhe vetëm para pak çastesh dëgjuam që rritja ekonomike do të ishte sipas tyre në vitin 2020, 4,1% . Një shifër të cilën e kanë hedhur poshtë Banka Botërore, së fundmi Banka Europiane për rindërtimin e zhvillim duke demonstruar qartë që në çdo shifër që flasin, këta vetëm gënjejnë dhe mashtrojnë. Dhe pse është e pamundur një shifër e tillë, dhe pse është kjo një gënjeshtër tjetër e madhe? Sepse ka një armik të jashtëzakonshëm që rëndon mbi buxhetin e të gjithë shqiptarëve, të familjeve të tyre dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, është korrupsioni. Është pikërisht një nga ata kushtet shumë të rënda që Gjermania na ka vendosur dhe ku i kërkon qeverisë Shqiptare një luftë të qartë dhe me rezultate të qarta për korrupsionin.

Po pse është ky shqetësim kaq i madh gjerman? Dhe pse rritja ekonomike shqiptare do të përgjysmohet dhe nuk do të jetë absolutisht ajo që qeveria vazhdon të gënjejë me insistim? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse shifrat janë kokëfortë. Banka Botërore në survejimin më të fundit të saj, në vëzhgimin më të fundit të saj që ka bërë, rezultatet që ka nxjerrë janë tepër të qarta. Bizneset shqiptare në masën 36% ankohen se është administrata publike, tatimore e qeverisë që ju merr shpirtin dhe se ju kërkon zarfet me ryshfet, pikërisht kjo administratë e shtetit që ata të bëjnë punën e tyre.
Këto shifra janë 3 herë më të larta korrupsioni se mesatarja e rajonit tonë. Pra 3 herë më të larta se të gjitha vendet e Ballkanit, që janë shumë të ngjashme me ne, janë 2 herë më të larta, një korrupsion më i lartë se mesatarja botërore. Dhe meqenëse i referohemi një qeverisjeje konkrete siç është rilindja apo ringjallja e tërbimshme e korrupsionit në Shqipëri, në 6 vitet e fundit korrupsioni është dyfishuar në Shqipëri.

Ju të nderuar qytetarë keni parë dhe keni ndjekur dhe ndiqni vazhdimisht të tëra shfaqjet tragjikomike të kryeministrit, i cili flet për bashkëqeverisjen me qytetarët, për portalin që i zgjidh të gjitha problemet. Dhe sot duhet të kuptoni që portali për qëndrimin e pushtetit në duart e kryeministrit dhe gjoja që është ai që i zgjidh këto probleme, nuk është as më shumë dhe as më pak alibia e një korrupsioni të përhapur në qelizë, që vetëm shumëfishohet dhe rritet, që me fjalë të thjeshta do të thotë grabitja e qindra milionë eurove nga xhepat e qytetarëve dhe rrëmbimin e futjen në xhepat e qeverisë dhe oligarkëve.

Njëherazi të gjithë bizneset shqiptare 44% e tyre pohojnë se ky korrupsion është shndërruar në pengesën kryesore të punës së tyre. Një shifër tjetër shumë e rëndësishme është dhe ju e kuptoni fare mirë, ju qytetarë që merreni me biznes, po dhe ju qytetarë të tjerë që frekuentoni bizneset e shqiptarëve dhe shifra është pikërisht se rreth 92% e bizneseve ankohen se vizitohen pambarimisht nga tatimet dhe duhet të paraqiten në zyrat e shtetit.

Pra këto biznese nuk janë sipërmarrje e lirë private, por janë një sipërmarrje që kanë në qafë thumbrën e shtetit, i cili në vend që ti ndihmojë, t’iu krijojë lehtësira, ti krijojë gjithmonë e më shumë mundësi që ata të lulëzojnë, sepse duke lulëzuar ata kanë një jetë ekonomike më të mirë, kanë një punësim absolutisht më të lartë sepse këto biznese punësojnë njerëz. Kanë mundësi që të kenë një garë të ndershme tregu dhe në këtë mënyrë çmimet të jenë më të ulëta. Përkundrazi, 93% e atyre mbahen si ushtarë për apel që ti raportojnë administratës tatimore, e cila ua çon në mënyrë vertikale shefave lart, kthehen në pasanik të pafund e që pasurojnë nja 10-12 oligarkë, të cilët janë shushunjat gjigande që thithin gjakun e shqiptarëve. Bizneset gjithashtu, afër 50% e tyre, thonë se taksat janë problemi kryesor i tyre që ata të mbijetojnë e të mbajnë gjallë, për mos u mbyllur me mijëra. Dhe ju e kuptoni që mbyllja e bizneseve do të thotë mijëra të papunë të cilët braktisin Shqipërinë dhe i bëhet në këtë mënyrë shërbim strategjisë së zezë, famëkeqe, të shpopullimit të Shqipërisë, të shkretimit të saj demografik. Bizneset, gati 30% e tyre e identifikojnë pikërisht administratën tatimore si një nga problemet më të mëdha të tyre për të vazhduar të qetë për të bërë biznes. Qoftë shifra që 50% e kompanive ankohet për taksat dhe qoftë shifra që 30 % e tyre e shohim administratën si problemin e tyre, është dy herë me e lartë se viti 2018.

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, ju keni parë me dhjetëra e me qindra drejtorë të bërë njësh me krimin. I shikoni përditë të cilët arrestohen sigurisht sa për sy e faqe sepse lirohen sërish dhe këtu shikon të parët e qeverisë që qajnë e lajnë për këta zyrtarë hajdutë. U bëjnë presion gjykatave që t’i nxjerrin sa më parë këta hajdutë, sepse mbrojnë hajdutëritë e tyre. Dhe ju e kuptoni që me këta qindra drejtues të shtetit të rilindjes, hajdutë të klasit të parë, sigurisht që korrupsioni do të vejë thellë e më thellë dhe shqiptarët do të vazhdojnë të detyrohen që të paguajnë qindra milionë euro më shumë për një rrugë të zakonshme, apo një fund a bisht rruge. Të paguajnë nga xhepi për çdo shërbim, të paguajnë ryshfet për çdo shërbim edhe nga më të zakonshmit që marrin, sepse ky është shteti i rilindjes.

Ndaj të nderuar qytetarë dhe qytetare, duhet të jemi sot më të shqetësuar se kurrë, pasi Shqipëria është pikërisht në greminën e kolapsit ekonomik. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë veprim i kësaj qeverie. Duhet parë me vëmendjen më të madhe sesi këta po rrënojnë shtetin. Dhe duhet refuzuar në mënyrë kategorike, prerë dhe me përbuzje çdo shifër dhe mashtrim. Ndërkohë që unë bashkëbisedoj me ju, pikërisht në të njëjtën kohë, tufa e rilindësve kusarë po lëshojnë në publik mashtrimet dhe gënjeshtrat e radhës për rritje ekonomike imagjinare, për mirëqenie imagjinare. Ndërkohë që mjerimi është e vërteta e madhe, shpopullimi është e vërteta e madhe, shkatërrimi ekonomik është e vërteta e madhe, shkatërrimi shoqëror është e vërteta e madhe dhe në themel e familjes shqiptare për shkak të varfërisë janë të vërtetat e mëdha.

Ndaj nuk duhet t’i harrojmë këto dhe të gjithë së bashku, duhet të bëhemi një bllok kombëtar që qëndron përballë kësaj qeverie për të shpëtuar veten dhe për të shpëtuar të ardhmen e këtij vendi të cilën e kemi shumë të dashur. Ju faleminderit të gjithëve!

Modifikuar më Premte, 08 November 2019 12:43
Login to post comments