Si iku Juli i Pashakos/ I kërkuari për sulmin ndaj Ndojës do kryente atentat të bujshëm

Premte, 08 November 2019 18:28

Policia po kërkon për Julian Sulajn si një nga personat e dyshuar për ngjarjen e rëndë te Mbikalimi i Shkozetit.

Edhe Sulaj, i njohur si Juli i Pashakos nuk është emër i panjohur për forcat e rendit.

Abc News mëson ekskluzivisht nga grupi hetimor se Sula ishte duke përgatitur një tjetër atentat të bujshëm në një qytet të rëndësishëm të vendit, por nuk vijoi me planin e tij pasi kuptoi se policia ishte vënë në ndjekje të tij.

Pasi kuptoi se ishte nën vëzhgim, Juli i Pashakos zhduket në mënyrë të papritur nga zona ku kishte planifikuar atentatin duke u shfaqur sërish në ngjarjen e rëndë të datës 1 nëntor, bëjnë me dije burimet.

Gjatë ditës së djeshme, FNSH dhe RENEA kryen operacione kërkimi për gjetjen e Sulës në disa zona të vendit. Ka dyshime se pak para të së zhvillohej kontrolli i FNSH-së, shtëpia ku mendohej se fshihej, ishte pastruar, duke larguar të gjitha mjetet që shërbejnë për kryerjen e një atentati.

Forcat Operacionale zhvilluan një aksin blic edhe në qytetin e Peqinit. Nga qelizat telefonike ka rezultuar se dy persona të tjerë që vijojnë të qëndrojnë në arrati të jenë lokalizuar në atë zonë, por operacioni rezultoi pa sukses.

Dyshimet janë se ai mund të fshihet në zonën e Kënetës, ku u kotrollua edhe një banesë që dyshohet se përdorej si bazë nga personat me rekorde kriminale.

Në fillim të këtij muaji, drejt makinës ku po udhëtonin prokurori Arjan Ndoj, Andi Maloku dhe Pëllumb Muharremi u qëllua me breshëri automatiku. Të tre ata mbetën të plagosur, ndërsa Maloku ndërroi jetë ditën e djeshme pas komplikacioneve shëndetësore.

Policia ka arrestuar Redjan Rrajën për atentatin në fjalë pasi prokuroria theksoi se kishte gjetur gjurmë të tijat në makinë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Login to post comments